TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Tetor 2025, 11:58

Dosje në tokë e mbi tavolina, 4 persona në një zyrë; prokurorët ‘e harruar’ të Tiranës

Shkruar nga Pamfleti

Dosje në tokë e mbi tavolina, 4 persona në një zyrë;

Nga momenti kur SPAK u vu në funksionim e gjithë vëmendja u përqëndrua te Prokuroria Speciale.

Kushtet, godinat, stafet, e gjithë vëmendja shkoi në strukturat speciale që do të luftonin krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet e larta, lidhjet e krimit me politikën apo anasjelltas.

E ndërkohë, strukturat e tjera të hetimit, prokuroritë e zakonshme, ata që nuk mbajnë mbi supe emërtimin ‘special’ u lanë në harresë.

“Pamfleti” po ndalet sot në Prokurorinë e Tiranës, më e rëndësishmja dhe më e madhja në vend, ndoshta për shkak të specifikës, i afrohet për nga rëndësia edhe vetë SPAK-ut.

Shumë prej prokurorëve në këtë prokurori kanë po aq vite eksperiencë sa ata të Prokurorisë Speciale, kanë kaluar njëlloj kushtet e vetting, pra janë vlerësuar nga të njëjtët komisione vlerësimi, kanë kaluar në të njëjtat filtra dhe bëjnë punën e tyre pa truproja e vëmendje të shtuar mediatike. Madje, bazuar në ligj, secili prej tyre ka të drejtën të regjistrojë çështje penale, edhe ndaj subjekteve që sot njihen si ‘kompetencë e SPAK’.

Pavarësisht se janë të pozicionuar në një godinë të veçantë, në fund të asaj që dikur njihej si ‘zona e Brrakës’, prokurorët e prokuroret e Tiranës, bashkë me stafet e tyre, punojnë në kushte krejt të pazakonta.

Një vëzhgim i shpejtë mjafton për të kuptuar se trupa e prokurorëve të Tiranës është ‘e harruar’ dhe pastaj mendoni se çfarë mund të ndodhë me prokuroritë e rretheve.

Në një zyrë, jo më shumë se 12-13 metra katrorë, mund të gjeni 4 persona, prokurorë dhe OPGJ, ndërsa dosjet e mbushura me dokumente i gjen kudo. Raftet nuk kanë më vend, dhe ato të tepërtat janë vendosur në dysheme, aq sa vështirëson edhe lëvizjen. Të tjera vendosen mbi tavolina, duke mbuluar edhe atë që qëndron pas saj, OPGJ-në, që herë pas here kur duhet të marrë dikë në pyetje, duhet të zgjatet pak, për të kaluar ‘murin’ me dosje që ndodhet mbi tavolinë.

Kaq mjafton për të kuptuar se në çfarë kushtesh punohet në prokurorinë më të madhe në vend, pa bërë llogaritë nëse trupa e prokurorëve është e plotësuar apo jo dhe a mund të përballojë gjithë volumin e punës që buron nga një qytet ku edhe sipas raportit të fundit të Prokurorisë së Përgjithshme ka numrin më të lartë të veprave penale, madje me një rritje në krahasim me vitin e kaluar.

Nëse dikush nuk e di se në çfarë institucioni hyn, vetëm nga panorama me të cilën përballet, do të mendojë se godina nuk është Prokurori dhe ata njerëzit që ndodhen pas tavolinave apo në zyra nuk janë as OPGJ dhe as prokurorë. Gjithçka ngjason me një kapanon apo magazinë, me dallimin e vetëm që e gjithë hapësira e madhe, është e ndarë në zyra të vogla, ku depozitohen dosje e dokumente, që në çdo moment mund të ‘hedhin në erë’ punën disa vjeçare nëse dëmtohen, humbasin, përmbyten…

Dhe këtë situatë e dinë të gjithë ata që kanë për detyrë ta dinë. E di KLP, Qeveria, Ministria e Drejtësisë. Në raportimin e fundit në Kuvend, Besford Lamallari, ministri i ri i Drejtësisë, ka premtuar investime.

“Është një punë që ka nisur, kemi kërkuar identifikimin e nevoja për godina, është kërkuar të klasifikohen, nevojat me imediate ku duhet ndërhyrë, Durrës, Tiranë, Fier, por edhe Saranda kur flasim për prokurori. Afatet mbeten për tu komunikuar më vonë, në varësi të punës , si për dinzenjo, elementët e sigurisë, ambientet, sasia e zyrave, që përcaktohen nga prokuroritë dhe gjykatat”, tha Lamallari.

Dhe deri atëherë ekipet e prokurorëve duhet të presin, ndoshta edhe të luten, që sa më shpejt të përfundojnë planet për të punuar në kushte optimale. /Pamfleti/

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Po, e konfirmoj. Dosje pa fund si në një bibliotekë që do ndërrojë godinë. Por fajin për këtë e kanë qytetarët që konsumojnë vepra penale, zyrtarët publikë që shkelin ligjin dhe vetë prokurorët, që shpesh e kanë shndërruar zyrën e shtetit nga një zyrë e hetimit penal, në një zyrë pelegrinazhi të nëpunësve publikë, të cilëve ju mbyllen dosjet nga prokurorët për qokë si shkëmbim. Vetë i shtojnë dosjet që të kalojnë afatet, i përcjellin në gjykatë dhe përmbytin Gjykatën e Apelit. ILD bënë sehir dhe Ministria e Drejtësisë nuk ushtron inspektim dhe kontroll administrativ as në Gjykata. Peshku është qelbur nga koka. Ndërrimi i çarçavëve nuk e zgjidh problemin.

    Lini një Përgjigje