Pas tubimit para Kryeministrisë, qytetarët e zhvendosën protestën pranë komisariatit ku mbahen disa nga të shoqëruarit pas tensioneve të paradites para Kuvendit
Protesta e ditës së 33-të është zhvendosur mbrëmjen e sotme para Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku qindra qytetarë janë mbledhur për të kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar gjatë tensioneve të paradites para Kuvendit.
Ndryshe nga ditët e tjera, kjo protestë nisi që në orët e mëngjesit para Parlamentit, ku qytetarët tentuan të bllokonin hyrjen e deputetëve në seancën plenare. Situata u përshkallëzua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, e cila përdori gaz lotsjellës, spray me piper dhe forcë fizike për shpërndarjen e turmës. Si pasojë, disa protestues u shoqëruan dhe u arrestuan.
Pas zhvillimeve të paradites, protesta vijoi sipas programit para Kryeministrisë, ku organizatorët dënuan ndërhyrjen e policisë, akuzuan qeverinë për përshkallëzimin e situatës dhe kërkuan lirimin e të arrestuarve. Në përfundim të tubimit, ata njoftuan se marshimi i përnatshëm do të zhvillohej drejt Komisariatit nr. 3.
Teksa mbërritën para godinës së policisë, protestuesit nisën të brohorisnin "Lironi çunat", "Ju erdhi fundi", "Rama jep dorëheqjen" dhe "Rama në burg, Berisha në burg", duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve të ndaluar. Me qindra persona kanë bllokuar rrugën "Mine Peza".
Marshimi drejt Komisariatit nr. 3 shënoi aktin përmbyllës të protestës së sotme, e cila, ndryshe nga 32 ditët e mëparshme, u karakterizua nga përplasjet më të forta mes protestuesve dhe policisë që prej nisjes së kësaj lëvizjeje qytetare.
Lini një Përgjigje