TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Nëntor 2024, 21:52

Dumani injoron akuzat e Metës dhe Berishës: S’kam kohë të merrem me to, nuk trembem nga sulmet politike

Shkruar nga Pamfleti

Dumani injoron akuzat e Metës dhe Berishës: S’kam kohë

"Sulmet politike nuk parapëlqej t’i komentoj. Jam shumë i ftohtë ndaj këtyre deklaratave politike."

Kreu i SPAK Altin Dumani i ka dërguar një mesazh të qartë kreut të PD-së dhe PL-së, se nuk e intimidojnë dot me akuzat dhe sharjet e tyre të përditshme.

I pyetur për akuzat që Berisha dhe Meta kanë drejtuar ndaj tij, Dumani tha se nuk impresionohet nga sulmet e politikanëve, ndaj tij, dhe punës.

Ai nënvizoi se ngarkesa që ka në punë e bën thuajse të pamundur që të ndjekë deklaratat politike kundër tij dhe punës që ai kryen.

Është hera e parë që i dëgjoj deklaratat. Kam informacion, sepse stafi i ngushtë më informon. Por vetë, për shkak të kohës së kufizuar që kam në dispozicion, pasi është e mbushur e tëra me punë, nuk kam kohë që të merrem e që ti ndjek. Jemi të vëmendshëm ndaj denoncimeve për afera të dyshuara për korrupsion nga kushdo që bëhen. Pjesën  tjetër nuk kam kohë që t’i ndjek me zë dhe figurë. Unë kam një qëndrim indiferent ndaj deklaratave të tilla. Çdo ditë e jetës sime që kur kam futur këmbët në organin e prokurorisë, është që kujdesem që të zbatoj ligjin. Sulmet politike nuk parapëlqej t’i komentoj. Jam shumë i ftohtë ndaj këtyre deklaratave politike. Është zgjedhja ime që ti anashkaloj”, tha Dumani.

Dumani iu përgjigj akuzave të Berishës se ai vetëm rrogën e shtetit, ndërsa bashkëshortja që merrej me përkthim disponon tre apartament.

"Berishës nuk i jap përgjigje por i jap publikut, taksa paguesve shqiptarë. Çdo pasuri e imja eshte e verifikuar ne detaj në një proces hetimi administrativ rigoroz nga institucionet e vetingut. Nuk kam asgjë për të fshehur. E kam të deklaruar çdo të ardhur të jetës. Cdo gjë është produkt i punës 25 vjecare të familjes time. Një kredi është marrë në 2006 me të cilën kam blerë një nga pronat e mia në kohën kur ka qenë Berisha.

Pasuritë i kam patjetër. Ato janë të deklaruara. Dy janë para vitit 2013, 1 pas vitit 2013. Mua më njohin shumë mirë. Kurrë, kurrë në jetën time nuk kam pranuar jo përfitim të parregullt, jo rryshfet por qoftë dhe një dhuratë që tejkalon shumën prej 100 dollarë që është detyrim ligjor. E kam bërë pakt me veten e familjen time. Unë e dua punën time. E bëj me mish e shpirt.' tha Dumani.

Më tej kreu i SPAK, deklaroi se ka marrë kërcënime edhe nga krimi i organizuar shqiptar, i cili sipas tij është shumë i rrezikshëm.

Dumani tha se mjaft prokurorë, familjarë të tyre, janë kërcënuar nga ky krim i organizuar, teksa theksoi se bëhet fjalë për raste konkrete dhe kërcënime reale.

Lidhur me krimin e organizuar jemi të shqetësuar, sepse vihet në rrezik jeta e tyre dhe e familjarëve të tyre. Janë të shumta rastet që prokurorët janë kërcënuar. Krimi i organizuar shqiptar është shumë i rrezikshëm dhe këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe agjencitë e huaja me të cilat ne bashkëpunojmë. Nuk flasim për krim të rrezikshëm imagjinar, por për real”, tha Dumani në intervistën për RTSH.

 

Lini një Përgjigje