TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Tetor 2025, 16:51

Dumani tregon fushat ku vjedhin më shumë zyrtarët: Korrupsioni, kërcënim strategjik për shtetin

Shkruar nga Pamfleti

Dumani tregon fushat ku vjedhin më shumë zyrtarët: Korrupsioni,

Kreu i SPAK paralajmëron për rrezik të qëndrueshëm nga pastrimi i parave, tenderat abuzivë dhe ndërhyrjet politike; kërkon prioritet kombëtar në luftën kundër korrupsionit...

Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ka shpalosur një panoramë të zymtë të situatës së korrupsionit në vend, duke e cilësuar si një kërcënim të qëndrueshëm dhe strategjik për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë.

Në raportimin e tij në Kuvend, Dumani nënvizoi se veprat penale në fushën e korrupsionit mbeten në nivel të lartë dhe të qëndrueshëm rreziku, me tendencë zgjerimi në disa kategori, duke përfshirë edhe pushtetin gjyqësor dhe ekzekutiv.

Korrupsioni në nivele të larta nuk ka rënë, por ka ndryshuar formë. Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe shkelja e barazisë në tendera janë dy nga format më agresive të korrupsionit të sofistikuar në vitet 2023-2024”, tha Dumani.

Sipas tij, fenomeni përfshin abuzime të vazhdueshme me fondet publike dhe përdorimin e subjekteve fiktive në skema klienteliste. Dumani paralajmëroi gjithashtu se korrupsioni pasiv në administratën publike ruan një trend stabël, duke dëshmuar për përhapjen sistemike të praktikave korruptive.

Ndikimi i paligjshëm në vendimmarrje publike mbetet formë tipike e kapjes së shtetit dhe ul besimin e qytetarëve te drejtësia dhe ligji”, u shpreh ai.

Edhe pse raporti evidenton një ulje relative të rasteve të korrupsionit në drejtësi gjatë vitit 2024, SPAK e konsideron këtë ulje si jo domosdoshmërisht tregues përmirësimi, por të mundshëm rezultat i mungesës së referimeve dhe pengesave hetimore.

Në përfundim, Dumani kërkoi trajtim të korrupsionit si prioritet kombëtar në politikën penale, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ndërkombëtar, rritjen e referimeve nga institucionet publike dhe një reformim të thelluar të sistemit të tenderimit dhe mbikëqyrjes financiare.

Pjesë nga fjala e Dumanit

Përsa i përket matjes së nivelit të riskut, të dhënat mbi veprat penale në fushën e korrupsionit tregojnë një nivel të lartë dhe të qëndrueshëm rreziku, me tendencë zgjerimi në disa kategori krimesh dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në qeverisjen publike, integritetin institucional dhe ekonominë kombëtare.

Veprat me rrezikshmëri më të lartë rezultojnë pastrimi i produkteve të veprës penale dhe shkelja e barazisë në tendera, të cilat shfaqin rritje të fortë në vitet 2023-2024, duke reflektuar abuzim të vazhdueshëm me fondet publike dhe përfshirje të subjekteve fiktive tregtare në skema klienteliste.

Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ruan trend të lartë stabël, duke dëshmuar përhapjen e praktikave korruptive në administratën publike.

Ndërkohë, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm mbetet një formë tipike e ndërhyrjes në vendimmarrjen publike dhe në proceset administrative, duke ruajtur një nivel mesatar rreziku.

Veprat e korrupsionit në nivele të larta të pushtetit dhe drejtësisë, përfshirë korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror dhe korrupsionin aktiv e pasiv në sistemin e drejtësisë, megjithëse paraqesin një ulje relative në vitin 2024, mbeten krime me rrezik të lartë strategjik, pasi minojnë besimin publik te shteti dhe sundimi i ligjit.

Në tërësi, panorama e nivelit të riskut të korrupsionit përbën kërcënim të vazhdueshëm për integritetin e administrimit publik, konkurrencën e ndershme ekonomike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, duke kërkuar trajtimin e tij si prioritet kombëtar në politikën penale dhe hetimore, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar gjatë.

Lini një Përgjigje