TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Shkurt 2026, 16:15

“E kontrolluan edhe për ‘Range Rover’-in që i dha Basha”, Berisha konfirmon hetimin e SPAK ndaj Flamur Nokës

Shkruar nga Pamfleti
“E kontrolluan edhe për ‘Range Rover’-in që i dha
Sali Berisha dhe Flamur Noka

Kryedemokrati Sali Berisha ka konfirmuar  se SPAK ka hetimet për Flamur Nokën prej disa muajsh, ku po verifikon edhe “Range Rover”-in luksoz me të cilin lëviz numri dy i PD-së.

Sipas Berishës, prokurorët e posaçëm kanë kërkuar dokumentacion në një kompani që tregton automjete, lidhur me një mjet tip Range Rover që përdoret nga Flamur Noka. Kontrolli është kryer për të sqaruar mënyrën e përfitimit dhe pronësinë e automjetit. Nga verifikimet, rezulton se automjeti nuk është blerë nga vetë Noka, por nga Lulzim Basha, fakt që është pasqyruar në dokumentacionin përkatës.

“Nuk e di a e morët vesh apo jo, për një kompani të quajtur ‘Mektrin’, është kontrolluar para pak ditësh dy herë. Pse u kontrollua kompania thoni ju? Na duhen dokumentet e veturës së Flamur Nokës, që ka blerë Flamur Noka, ‘Range’ mos gaboj. Shkuan njërën ditë, i thanë ata s’kemi. Shkuan ditën tjetër, u thanë nxirrni. Çfarë doli. Veturën e kishte blerë Lul Basha. Se është skenë e bukur. Sapo punonjësi i tha që, o zotëri ai nuk ardhur kurrë për të blerë veturë. I dha ai të dhënat e veturës, i tha ai, që këtë veturë e ka blerë Lul Basha, ja ku e ke. As nuk i mori fare dokumentet. Jo. Se krim duhej të ishte për Flamur Nokën. Por kjo është ngjarje reale, taze. Ja tha ku e ke firmën, e ka blerë Lul Basha këtë veturë, merre dosjen. Jo i tha, nuk më duhet për Lulin”, tha Berisha në konferencë për mediat.

Hetimi pasuror ndaj Nokës ka nisur në maj të vitit 2024 dhe përfshin disa dyshime penale. Prokuroria po shqyrton elementë të mundshëm të fshehjes së pasurisë, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës.

Në këtë kuadër, Noka dyshohet se nuk ka deklaruar një vilë në zonën e Gjirit të Lalzit. Paralelisht, ai po hetohet edhe për veprime të kryera gjatë periudhës kur ka qenë drejtor i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave në vitin 2008. Sipas dyshimeve, ai ka përfituar nga funksioni publik për të shpërndarë katër banesa nga fondi i të pastrehëve në Sarandë për familjarë të tij.

Hetimet mbeten në zhvillim dhe përqendrohen në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së pasurive, si dhe në vendimmarrjet e marra gjatë ushtrimit të funksioneve publike.

berisha hetim pasuror flamur noka

Lini një Përgjigje