Ju ftojmë të ndiqni zhvillimet kryesore nga kronika e zezë deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:
SPAK ka dalë me një mesazh të fortë, duke theksuar pavarësinë e hetimeve dhe se çdo çështje trajtohet vetëm bazuar në prova.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur prokuroria është shpesh në qendër të vëmendjes publike dhe politike.
Ndërkohë, qeveria miratoi amnistinë penale, e cila sjell lirim të menjëhershëm për 447 persona, ndërsa 853 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.
Shërbimi i provës përfshin edhe 5,077 të dënuar me masa alternative, ndërsa 14 mijë procedime për vepra të lehta pushohen nga viti 2024, duke ulur presionin në burgje dhe përqendruar drejtësinë tek rreziku real shoqëror.
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Itali, ku familja Kola humbi katër anëtarë nga monoksidi i karbonit.
I afërmi i kryefamiljarit ka bërë thirrje për ndihmë nga bashkëatdhetarët për të sjellë trupat në Shqipëri.
Në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për rastin e 3-vjeçarit që humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare, duke dërguar për gjykim 7 persona.
Ndërsa në Lezhë, pas një përplasjeje me armë mes familjeve Ndokaj dhe Nikulaj, polici Besart Kovaçi mbetet në burg.
Policia e Tiranës arrestoi dy persona për përgatitje të lëndës narkotike ekstazi në banesë në zonën “Ali Demi”, ndërsa në Shkodër u kap një 19-vjeçar me 163 mijë euro të falsifikuara, një makinë të vjedhur dhe municion luftarak.
Në Fier, babai me dy djemtë kanë ushtruar dhunë ndaj motrës dhe mbesës së mitur; ndaj tyre ka nisur procedimi penal.
Në Gjirokastër, tre persona u arrestuan pas një hetimi disamujor për prodhimin dhe përdorimin e dokumenteve dhe certifikatave false, ndërsa në “Rrugën e Arbrit”, një aksident mes një makine dhe një kamioni la të plagosur dy persona rëndë.
Një atentat i dështuar me tritol u regjistrua në Konsipol, ku 54-vjeçari që e vendosi lëndën plasëse shpallet në kërkim.
Ndërkohë, në Holandë kapen 500 kg kokainë, mes të arrestuarve edhe dy shqiptarë.
Në skenën ndërkombëtare, një shpërthim në xhaminë Hadizatul Kubra në Pakistan shkaktoi 15 të vdekur dhe 80 të plagosur gjatë lutjeve të së premtes, ndërsa në Moskë, gjenerali rus Vladimir Alexeyev u plagos me armë zjarri nga një person i paidentifikuar brenda apartamentit të tij.
Lini një Përgjigje