Një mësues i gjuhës angleze, në shkollën 9-vjeçare “Gustav Majer”, është larguar nga detyra pasi u konstatua se gjatë orës së mësimit predikonte fenë e Jehovait, në kundërshtim me çdo parim dhe rregullore të arsimit në Shqipëri.
Rasti u denoncua nga prindërit e nxënësve të klasës së katërt, të cilët sinjalizuan drejtuesit e shkollës për përdorimin e materialeve me tematikë fetare gjatë mësimit të anglishtes.
Sipas verifikimeve, mësuesi kishte shfaqur video dhe kishte dhënë detyra të lidhura me urdhëra dhe koncepte fetare, duke i përfshirë këto në procesin mësimor të arsimit bazë, raporton Top Channel.
Ankesat u paraqitën në fillim të javës dhe çuan në mbledhjen e komisionit të disiplinës. Pas shqyrtimit të provave dhe dëshmive, institucioni arsimor vendosi largimin e mësuesit nga puna, duke e konsideruar rastin shkelje të rregullores së brendshme dhe ligjit për arsimin parauniversitar.
Dëshmitë e nxënësve dhe prindërve tregojnë se temat fetare janë trajtuar në mënyrë të përsëritur gjatë orëve të mësimit, duke zëvendësuar pjesërisht programin e lëndës. Sipas tyre, diskutimet nuk ishin sporadike, por të përfshira drejtpërdrejt në aktivitetin mësimor.
“5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 për Zotin. A ka më turp, t’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër?!”, janë disa nga dëshmitë e prindërve.
Nga ana tjetër, disa prindër pohuan se nuk kishin pasur më herët shqetësime, duke u bazuar në rezultatet e nxënësve në lëndën e anglishtes.
Megjithatë, drejtuesit e shkollës dhe strukturat arsimore rajonale vlerësuan se përdorimi i orës mësimore për predikim fetar përbën shkelje të rëndë.
Institucioni arsimor e trajtoi rastin si precedent të papranueshëm në sistemin publik, duke theksuar se shkolla duhet të mbetet hapësirë neutrale ndaj besimeve fetare dhe e fokusuar vetëm në programin zyrtar mësimor.
Lini një Përgjigje