Pas një periudhe pritjeje të gjatë, qeveria ka marrë vendimin për të çelur një kapitull të ri në tregun e shitblerjes së pronave, duke rihapur mundësinë për rivlerësimin e pasurive me një normë tatimi prej vetëm 5%. Kjo pritet të sjellë më shumë dinamizëm në treg dhe të nxjerrë në shitje prona që deri më tani mbaheshin pezull në pritje të një nisme të tillë.
“Edhe pse kërkesa ka qenë gjithmonë prezente, shumë pronarë nuk kanë ndërmarrë hapa për shitje për shkak të tatimit të lartë mbi rivlerësimin. Me këtë lehtësim, pritet të zhbllokohet një pjesë e madhe e tregut”, thotë Dorentina Krraba, eksperte e pasurive të patundshme për A2 CNN.
Sipas saj, tregu do të përjetojë një rritje të ofertës, çka përkthehet në më shumë zgjedhje për blerësit potencialë. Megjithatë, në lidhje me çmimet, ekspertët janë të kujdesshëm në parashikime.
“Nuk është realiste të presim ulje çmimesh. Ajo që mund të ndodhë është një ngadalësim i ritmit të rritjes së tyre, por jo një rënie direkte,” shton Krraba.
Skema e re ligjore do të aplikohet vetëm për ato ndërtesa që janë të përfunduara dhe të regjistruara në Hipotekë. Ndërkohë, objektet në ndërtim e sipër aktualisht nuk përfitojnë nga kjo nismë.
“Pallatet e përfunduara do të jenë përfituesit kryesorë. Kjo do të ndikojë edhe në rritjen e transaksioneve për këtë segment,” vijon Krraba.
Fushata për rivlerësimin do të nisë nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, ndërkohë që projektligji është tashmë në konsultim publik nga Ministria e Financave. Ai parashikon përfshirjen e edhe pasurive në proces legalizimi apo regjistrimi, ndërsa për shoqëritë juridike, rivlerësimi duhet të realizohet nga ekspertë të licencuar.
Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind. Ministria e Financave ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar.
Lini një Përgjigje