
Gilmando Dani, 47 vjeç, dhe Muçi Shaljani, 40 vjeç, u qëlluan me armë automatike pasditen e së martës, në një pritë që ishte ngritur në rrethrrotullimin e Rinasit, një zonë që konsiderohet ndër më të sigurtat, për shkak të afërsisë me aeroportin e vetëm ndërkombëtar dhe me prezencë të shtuar të forcave të rendit.
Dani humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa Shaljani ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi u godit nga të paktën 10 plumba.
Lidhur me ngjarjen ka shumë reagime, ndërsa një video e publikuar tregon se si hapet zjarr ndaj automjetit ku ndodhen Dani dhe Shaljani. Autorët e krimit, të paktën 3 ekzekutorë, veprojnë si një trupë e përgatitur, me preçizion të lartë shënjestrimi dhe që tërhiqen duke mbrojtur njëri-tjetrin.
Gazetari Dashamir Biçaku në emisionin Trialog në TVSH, ka zbuluar detaje të reja lidhur me ngjarjen.
Sipas burimeve të tij, atentati ishte planifikuar të ndodhte më herët, në ditën kur Dani do të udhëtonte drejt Barcelonës, por u shty për shkak të rrethanave të sigurisë.
Ai shtoi se ky informacion është aktualisht në proces verifikimi nga strukturat përkatëse të policisë, të cilat po analizojnë të gjitha pistat e mundshme që lidhen me organizimin e atentatit.
“Një informacion interesant që unë kam arritur të siguroj së paku nga verifikimet që kam bërë, nga komunikimet që kam pasur me ish oficer policie, apo dhe me oficer policie të cilët ruaj marrëdhënie të mira është se atentati ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljani do të duhej të kishte ndodhur ditën kur Gilmando Dani është nisur për të udhëtuar në drejtim të Barcelonës për motive që sigurisht ne nuk i dimë. Por nuk ka ndodhur për arsye se atë ditë sipas informacioneve që unë kam, ka pasur lëvizje të disa delegacioneve të huaja dhe sigurisht ka pasur efektiv të gardës dhe efektiv të shumtë policie ku prania e të cilëve ka bërë që organizatorët e këtij atentati ta shtyjnë realizimin e ngjarjes për një rast tjetër dhe që rezultoi ditën e djeshme.
Sigurisht që ky është një informacion që është duke u verifikuar nga strukturat e policisë. Ky informacion por edhe informacione të tjera besoj që janë duke u analizuar dhe duke u verifikuar nga strukturat përkatëse”, u shpreh Biçaku.
Lini një Përgjigje