
Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje mbi atentatin e Rinasit. Sipas saj, kjo ngjarje ka cenuar seriozisht sigurinë kombëtare.
“Atentati ka cenuar sigurinë kombëtare. Është një vend shumë i populluar, aty pranë ndodhet hyrja e terminalit VIP dhe gjithçka ka ndodhur në pikun e ditës”, deklaroi Lala në “Opinion”.
Ajo tregoi se atentatorët kanë pasur të dhëna shumë preçize mbi shënjestrën. Madje edhe ku ndodhej në makinë.
“Gilmando Dani ka qenë me syze e kapele. Ata kishin kaluar në kalimet elektronike dhe kishin marrë makinën në parkim. Ekzekutorët kanë pasur informacion të plotë se ku ndodhej në makinë Dani. Atentatorët e donin të vdekur Gilmando Danin”, theksoi Klodiana Lala.
Gazetarja tha se Dani kishte marrë kohët e fundit paralajmërime për rrezikun që e kërcënonte.
“Së fundmi, ai kishte marrë sinjalizime për t’u ruajtur. Kishte mbajtur një profil të tërhequr, ishte fejuar dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte në Spanjë”, tregoi ajo.
Lala foli gjithashtu për punonjësin e AMP-së që u plagos në atentat.
“Muçi Shaljani që u plagos është pronar i një hoteli në mes të Tiranës. Dy zyrtarë kanë falsifikuar të dhëna për rekrutimin e tij. Ai ishte biznesmen në kryeqytet dhe nuk kishte nevojë për para. Zyrtarët e lartë policorë duhet të japin shpjegime sesi ai u bë pjesë e AMP-së”, deklaroi gazetarja në “Opinion”.
Në fund, Klodiana Lala theksoi se Gilmando Dani ishte një person i skeduar prej kohësh dhe që kishte qenë objekt i disa atentateve të mëparshme e nuk kishte një raport se me kë shoqërohej ai.
Lini një Përgjigje