Autori dhe gazetari Eljan Tanini është caktuar drejtori i ri i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Ai do të zëvëndësojë në këtë post Marinela Ndria e cila e ka drejtuar më parë këtë institucion.
Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ku i uron suksese drejtorit të ri të AQSHF.
“Artist pamor, gazetar dhe autor projektesh që ndërthurin artin me memorien kolektive, Eljan Tanini vjen në krye të AQSHF me një profil të veçantë dhe një angazhim të hershëm në rrëfimin e Shqipërisë përmes historisë, nostalgjisë dhe arkivës vizuale”, shkruan Gonxhja në Facebook.
Gjithashtu Jonid Jorgji është emëruar kryetar i Qendrёs Kombёtare tё Kinematografisё dhe do të zëvendësojë në këtë detyrë, regjisorin Eol Çashku, i cili u shkarkua me vendim qeverie në fund të majit të këtij viti. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Jorgji është diplomuar për regji filmi dhe prej vitit 2022 drejtonte Agjencinë për Industritë Kreative në Bashkinë e Tiranës.
“Vendim Për Emërimin Në Detyrë Të Kryetarit Të Qendrёs Kombёtare Tё Kinematografisё: Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.8096, datë 21.3.1996, “Për kinematografinё”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: Jonid Jorgji emërohet kryetar i Qendrёs Kombёtare tё Kinematografisё. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Lini një Përgjigje