TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2025, 22:30

“Emrat që ju shmangën vetingut jo pedagogë”, KE 'shkund' drejtësinë: KLP-KLGJ ngelin në klasë, presioni ndaj SPAK i patolerueshëm

Shkruar nga Pamfleti

“Emrat që ju shmangën vetingut jo pedagogë”, KE

KE mesazh Ramës: Nëse nuk arrini standardet, nuk ka mbyllje të kapitujve...

Bashkimi Europian u ka dhënë një goditje të fortë organeve të reja të drejtësisë. Edhe pse reforma ka afro 10 vite që po zbatohet, për Brukselin ka ende shumë probleme në këtë aspekt.

Komisioni Europian ka hartuar një raport për shtetin e së drejtës, duke dhënë mendim mbi të gjitha organet e drejtësisë në vend, përfshirë SPAK-un, KLGJ-në, KLP-në, gjyqësorin dhe organet e tjera. Raporti është ende në fazë konsultimi dhe u ka ardhur organeve në Tiranë për mendim.

Për Brukselin, qeverisja e gjyqësorit dhe prokurorisë nuk po performon si duhet, duke iu dhënë kështu një goditje të fortë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Nuk është shënuar ndonjë zhvillim domethënës nga KLGJ-ja dhe KLP-ja në forcimin e transparencës për ngritjet në detyrë dhe transferimet. KLGJ-së i mungojnë rregullat e brendshme të nevojshme për të ushtruar funksionet e saj në mënyrë efektive, ndërsa ato të KLP-së kërkojnë rishikim. Të dy Këshillat nuk kanë rregullore të brendshme për konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre, duke bërë që rastet e mundshme të konfliktit të interesit të mos trajtohen”, thekson raporti.

Një tjetër element që ata trajtojnë është fakti se shumë nga të ngelurit në veting apo që janë përjashtuar nga sistemi, janë pedagogë në Shkollën e Magjistraturës. Për KE-në, kjo është e papranueshme.

Fakti që ish-magjistratët që kanë dhënë dorëheqjen gjatë vetingut dhe janë subjekt ndalimi për të mbajtur pozita të larta në sistemin gjyqësor, janë të lirë të punësohen si staf pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës”, shprehet KE-ja.

Një vëmendje u është kushtuar edhe presioneve politike ndaj drejtësisë, duke përmendur sulmet që u bënë ndaj organeve nga Berisha, apo edhe pas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj.

Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar në shkurt 2025 nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), shkaktoi reagime të paprecedenta publike nga ekzekutivi dhe legjislativi, përfshirë përpjekje për të ushtruar presion ndaj SPAK dhe institucioneve të drejtësisë – gjë që ngre shqetësime serioze”, thuhet aty.

Komisioni Europian i dedikon një kapitull të veçantë analizues punës së SPAK-ut, duke e inkurajuar të shkojë më tej.

SPAK-u vazhdoi të konsolidojë rezultatet e tij pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, ndonëse mbeten disa mungesa në lidhje me stafin dhe infrastrukturën. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë dhënë rezultate pozitive në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit, përfshirë ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të lartë, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

SPAK-u shfaq vizion strategjik të qëndrueshëm dhe pavarësi në kontributin e tij në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht presionit të shtuar politik, grupeve të krimit të organizuar dhe medias. Rritja e vazhdueshme e ngarkesës së punës për SPAK-un dhe mungesa e stafit dhe infrastrukturës vazhdojnë të jenë çështje që duhen adresuar. Numri i referimeve te SPAK-u nga autoritetet e tjera ka rënë më tej dhe mbetet i ulët”, vijon raporti.

Në “non-paper” thuhet se “progresi në grupin e kapitujve do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Kjo përfshin në veçanti përmbushjen e standardeve të përkohshme sipas kapitujve 23 dhe 24. Siç parashikohet nga Korniza Negociuese, asnjë kapitull nuk mund të mbyllet përpara se Shqipëria të arrijë këtë objektiv”.

Lini një Përgjigje