Ish-prokurori Besnik Muçi thotë se kreu i SPAK, Altin Dumani s’duhet të kishte marrë pjesë në takimin me ministrin e Drejtësisë Manja, pasi s’e detyron Kushtetuta.
Muçi i konsideron rekomandimet e Manjës “një propagandë ekzekutive”.
Ish-prokurori theksoi se KLP dhe ILD janë institucionet që ndjekin veprimtarinë e SPAK-ut dhe s’është detyrë e qeverisë të bëjë organizimin e brendshëm të Prokurorisë së Posaçme.
“Kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar parashikojnë dy lloj marrëdhëniesh të posaçme të SPAK dhe prokurorit të përgjithshëm. SPAK-u ka një marrëdhënie vetëm me Kuvendin, ku raporton për gjendjen e kriminalitetit. Nuk ka asnjë lloj raporti me Këshillin e Ministrave, Ministrinë e Drejtësisë.
Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka një lidhje me qeverinë, që merr rekomandime, për gjendjen e kriminalitetit, dhe prioritetet për punën, dhe prokurori i përgjithshëm ka detyrim të raportojë. Z.Dumani s’duhet të kishte marrë dje pjesë në takim, pasi s’e detyron Kushtetuta dhe ligji të marrë rekomandime nga Këshilli i Ministrave.
Rekomandimet janë propagandë ekzekutive, që kërkon të bindë qytetarët që përgjegjësinë për luftën ndaj krimit e ka Prokuroria. Prokuroria ka detyrim ndjekjen penale, jo luftën kundër kriminalitetit, që ka shumë element dhe eksponentë. Prokuroria thotë Kushtetuta është e pavarur. Prokurorët janë të pavarur në ushtrimin e funksionit”., tha Muçi.
Muçi thekson se duhet të ketë më shumë hetime proaktive. Ai shtoi se ato që citoi ministri i Drejtësisë si rekomandime janë detyra funksionale të Prokurorisë.
“Nuk është detyra e Dumanit që të krijojë struktura të posaçme. Është krijuar SPAK dhe BKH. Është jashtë mundësive ligjore të krijohen struktura të posaçme. S’është detyrë e qeverisë të bëjë organizimin e brendshëm në SPAK, por qeveria të shoh sa hetime proaktive ka referuar në SPAK. KLP dhe ILD janë institucionet që ndjekin veprimtarinë e SPAK-ut. Ç’punë ka qeveria?! SPAK është si të gjitha institucionet e tjera në Shqipëri, nuk ka bërë ndonjë punë të madhe”, shtoi ish prokurori.
Lini një Përgjigje