Avokati Spartak Ngjela ka analizuar figurën e Enver Hoxhës, duke u ndalur te mënyra se si ish-diktatori ndërtoi autoritetin e tij politik dhe e mbajti pushtetin për dekada.
Sipas Ngjelës, Hoxha shfaqte një konflikt të brendshëm mes vetes dhe ambientit shoqëror, ndërsa profili i tij psikologjik kishte tipare të një sundimtari absolut.
“Enver Hoxha ishte dogmatik. Nga analiza që kam bërë unë dhe që e kam parë dhe kam shkruar në libër deri diku është që ai kishte një inner conflict në, në, në funksion të ambientit, të shoqërisë dhe të unit të tij. Kishte karakter, karakter psikologjik mbretëror. Si mbret”, u shpreh Ngjela.
Ai tha se Hoxha e ndryshoi mënyrën e komunikimit publik pas viteve të para të pushtetit. Sipas tij, në vitet 1945-1946 fjalimet e Hoxhës nuk kishin strukturë, por më vonë ai përdori teknikën e të folurit skenik për të forcuar ndikimin publik.
“Edhe në mënyrën sesi fliste, kur e ka filluar ai atë karrierën, fliste shatra-patra. Po ta shikosh, shikoje atë '45-'46. Pastaj e mori yllin me sa duket, mund të ketë përdorur të folurën skenike. Domethënë të ketë studiuar për të folurën skenike dhe me ndonjë, me ndonjë ekspert, dhe mori të folurën skenike ai”, tha Ngjela.
Sipas avokatit, Hoxha arriti të krijonte një autoritet absolut, por frika nga rrëzimi e shtyu drejt veprimeve më të ashpra pas Kongresit të 20-të në Bashkimin Sovjetik.
“Ai kishte krijuar një autoritet absolut. Po kur krijoje autoritetin absolut ishte brenda normës të një pushtetari. Kurse ai degjeneroi në ato momente, për të gjetur një fjalë tjetër, ai degjeneroi në ato momente kur i hyri frika se do ta rrëzonin. Mbas Kongresit të 20 në Rusi”, deklaroi ai.
Ngjela u ndal edhe te pozicionimi i Hoxhës pas largimit të figurave staliniste në vendet e tjera komuniste. Ai tha se Hoxha mbeti i vetëm në këtë linjë dhe reagoi me shpejtësi ndaj presionit nga Moska.
“Dhe ngeli vetëm ky stalinian. Ikën të gjithë stalinianët. Ky mbeti. Edhe ky do ikte, se e thirrën në Moskë dhe i thanë jep dorëheqjen, se ia thirrën nga brenda. Ky u kthye nga Moska këtu dhe ua bëri të tjerëve. Se duhet të kemi parasysh një gjë: Hoxha nuk qe ndonjë kapacitet i madh statist, por kishte intuitë të madhe politike në funksion të luftës politike”, tha Ngjela.
Ai e krahasoi Hoxhën me një figurë që synonte të pozicionohej si sundimtar absolut, jo vetëm në vendimmarrje, por edhe në mënyrën e komunikimit dhe sjelljes publike.
“Shehu ishte tjetër karakter dhe tjetër intelekt. Ky kishte këtë, që pozicionohej si car. Pozicionohej si mbret absolut. Edhe në bisedë. Edhe në të zëri. Edhe në mënyrën sesi flet. Kuptohet që është strukturuar me kulturë skenike. Kishte kulturë skenike”, u shpreh ai.
Ngjela tha se Hoxha ishte individualist dhe nuk ndërtonte një ekip në kuptimin familjar, ndërsa ruhej vazhdimisht nga njerëzit përreth. Megjithatë, ai vlerësoi se shkëputja nga Bashkimi Sovjetik tregoi një nivel të lartë manovrimi politik.
“Ato ndjesitë e mia nuk mund të gjenden dot ndonjë gjë se unë isha atje artific. U ndodha se isha atje, jo se më kishte thirrur ky. Dhe pastaj ai ishte individualist i madh, nuk krijonte ai ekip në konceptin familjar. Dhe ruhej shumë. Por lëvizjet që bëri dhe shkëputjen nga Rusia ishte nivel i lartë. S'e bënte dot çdo njeri”, përfundoi Ngjela.
Lini një Përgjigje