TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2025, 21:28

Flakët përfshijnë vendgrumbullimin e inerteve në Nartë, vihen nën kontroll 20 vatra në të gjithë vendin

Shkruar nga Pamfleti

Flakët përfshijnë vendgrumbullimin e inerteve në Nartë,

Flakët kanë përfshirë sot vendgrumbullimin e inerteve në Jallin e Nartës, pranë zonës së mbrojtur në Vlorë, duke alarmuar autoritetet dhe banorët përreth. Zjarri, i cili ra në një hapësirë ku hidhen ilegalisht materiale plastike dhe goma makinash, ka mobilizuar menjëherë forcat zjarrfikëse që ndodhen në terren për të ndalur përhapjen e tij.

Kjo vatër është vetëm një nga 20 të tilla që janë raportuar nga ora 09:00 deri në 20:30 të datës 30 qershor 2025, sipas të dhënave zyrtare të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC. Vatrat janë përhapur në një gamë të gjerë gjeografike, nga Vau i Dejës e deri në Lezhë, Fier, Kuçovë dhe Malësi e Madhe.

Në operacionet për shuarjen e këtyre zjarreve janë angazhuar 28 automjete zjarrfikëse dhe 197 forca operacionale. Deri më tani, të gjitha vatrat janë raportuar të shuar, por situata mbetet delikate dhe kërkon ndjekje të vazhdueshme. Emergjencat Civile kanë konfirmuar se janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment në rast të riaktivizimit të ndonjë vatre apo rrezikut të ri.

Ndërsa vera sapo ka nisur, autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve dhe operatorëve të ndërgjegjësohen mbi rrezikun e madh të zjarreve, sidomos në zonat rurale, industriale apo me mbetje të pakontrolluara.

Shpërndarja e vatrave të zjarrit: 

Në fshatin Kosmaç, njësia administrative Bushat, bashkia Vau - Dejës.
Në fshatin Vilë - Ballaj, njësia administrative numër Gosë, bashkia Rrogozhinë.
Në fshatin Frakull, njësia administrative Frakull, bashkia Fier.
Në fshatin Kaç, njësia administrative Vau - Dejës, bashkia Vau – Dejës.
Në lagjen Nr.2, njësia administrative Rrogozhinë, bashkia Rrogozhinë.
Në fshatin Kaç, njësia administrative Vau - Dejës, bashkia Vau – Dejës.
Në fshatin Katund i Ri, njësia administrative Katund i Ri, bashkia Durrës.
Në fshatin Gegë, njësia administrative Kozare, bashkia Kuçovë.
Në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier.
Në vendin e quajtur “Kuzum Baba”, njësia administrative Nr.2, bashkia Vlorë.
Në fshatin Gruemirë, njësia administrative Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe.
Në fshatin Nënshatë, njësia administrative Hajmel, bashkia Vau – Dejës.
Në fshatin Kosmaç, njësia administrative Bushat, bashkia Vau – Dejës.
Në fshatin Zagorë, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe.
Në fshatin Pojan, njësia administrative Topjë, bashkia Fier.
Në fshatin Hoshtimë, njësia administrative Qendër, bashkia Vlorë.
Në fshatin Gjorm, njësia administrative Mamurras, bashkia Kurbin.
Në njësinë administrative Novoselë, bashkia Vlorë.
Në fshatin Gegë, njësia administrative Kozare, bashkia Kuçovë.
Në lagjen SMT, njësia administrative Lezhë, bashkia Lezhë.

Lini një Përgjigje