
Para Kryeministrisë në Tiranë ka nisur një protestë e organizuar nga lëvizja qytetare “Shqipëria Bëhet”, ku qindra qytetarë kanë dalë në rrugë me kërkesë të drejtpërdrejtë: largimin e kryeministrit Edi Rama. Protesta, e cila po shpaloset në formë paqësore, është shoqëruar me thirrje për zgjim qytetar dhe përfshirje të të gjithë shtresave të shoqërisë.
Një nga zërat më të fortë në këtë protestë ka qenë ai i aktorit Genti Kame, i cili ka mbajtur një fjalim të fuqishëm nga podiumi, duke thirrur publikisht të gjithë profesionistët e këtij vendi të reagojnë përballë asaj që ai e cilëson si një sistem të kapur dhe të kalbur nga maskarenjtë.
“Arsimtarë, flisni, se po nuk folët ju, do të dëgjohet rrugaçëria në këtë vend. Ushtarakë, policë, keni bërë një betim për ta mbrojtur këtë vend. Flisni! Se po nuk folët ju, do flasin tradhtarët. Inxhinierë, njerëz që e keni ndërtuar këtë vend, flisni! Se po nuk folët ju, do ta shkatërrojnë këtë vend. Agronomë, bujq, zooteknikë, flisni, ngrini zërin, se po nuk folët ju, do ta thajnë këtë tokë. Njerëz të profesioneve, intelektualë, flisni, se po nuk folët ju, po nuk folët ju në shesh, në ato zyra do të futen maskarenjtë”, deklaroi ai.
Protesta vijon në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se kjo është vetëm nisja e një vale të re reagimi qytetar kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe kapjes së institucioneve.
Lini një Përgjigje