TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Dhjetor 2025, 14:53

Frikë apo kujdes? Prokurori Braho shkon me gotën e ujit me vete në prezantimin e kandidaturës në KLP

Shkruar nga Pamfleti
Frikë apo kujdes? Prokurori Braho shkon me gotën e ujit me vete
Prokurori Klodian Braho

Prokurori Klodian Braho, kandidat për kreun e SPAK, tërhoqi vëmendjen gjatë prezantimit të kandidaturës së tij me gotën e ujit që mbante me vete gjatë gjithë seancës.

Ky gjest ngjalli interpretime të ndryshme, nga thjesht kujdes personal deri te nënkuptime mbi tensionin e garës për drejtimin e institucioni më të rëndësishëm të hetimit në vend.

Gjatë fjalës së tij, Braho u ndal në debatin publik mbi të ashtuquajturën “republikë prokurorësh”, një term i përdorur shpesh për të përshkruar fuqinë e SPAK. Ai e hodhi poshtë kategorikisht ekzistencën e kësaj ideje.

“Unë nuk e njoh si term. Nuk ka republikë prokurorësh në Shqipëri”, tha Braho.

Në vijim, kandidati u pyet për presionet e mundshme ndaj prokurorëve, sidomos në çështje sensitive që mund të kenë ndikim politik apo shoqëror. Braho u shpreh se asnjë hetim nuk duhet të konsiderohet kërcënim për stabilitetin e vendit.

“Kam pasur çështje që kanë shkaktuar efekte, por nuk mendoj se hetimi i një çështjeje mund të sjellë destabilizimin e vendit. Pastaj, nëse kjo ndodh, stabiliteti i vendit nuk zgjidhet me këshilla, por mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, theksoi ai.

Sa i takon menaxhimit të brendshëm të SPAK, Braho deklaroi se si drejtues do të synonte rritjen e bashkëpunimit dhe efikasitetit përmes decentralizimit të disa kompetencave.
“Në cilësinë e drejtuesit do t’u jepja më shumë kompetencë drejtuesve të seksioneve. Kjo do të ulte ngarkesën e kreut. Duke shpërndarë disa kompetenca dhe duke mbajtur kontakt me seksionet, kjo besoj do të rrisë bashkëpunimin”, u shpreh ai.

Në përmbyllje, Braho tha se sfida më e madhe e SPAK sot është pjekuria institucionale.
“SPAK duhet të maturohet dhe të krijojë standard. Të mos ketë më rëndësi kush shkon prokuror dhe drejtues, por të ketë standard”, deklaroi Braho.

prokurori klodian braho gota e ujit

Lini një Përgjigje