TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Mars 2026, 10:29

Gazetari i kërkon llogari ministres: Pse mungojnë ilaçet për pacientët me sëmundje të rënda?

Shkruar nga Pamfleti
Gazetari i kërkon llogari ministres: Pse mungojnë ilaçet
Evis Sala

Gazetari Osman Stafa ka kapur "mat" ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, duke e pyetur publikisht pse mungojnë ilaçet për pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda, ndërsa ministrja u përpoq të justifikonte situatën me masat që, sipas saj, po ndërmerren për furnizimin me barna.

Gjatë një konference për shtyp të mbajtur për reformimin e shërbimit onkologjik në nivel kombëtar, Stafa ngriti shqetësimin për mungesën e disa medikamenteve të rëndësishme në spitalin Onkologjik.

“Ilaçet aktualisht në Onkologjik janë në mungesë. Dy ilaçe nuk gjenden: Abirateroni, ku të sëmurët me prostatë janë prej dy muajsh pa terapi, ndërsa Acidi folinik blihet si drogë nëpër cepa”, u shpreh gazetari.

Në përgjigje, ministrja Sala tha se janë marrë masa për të garantuar qëndrueshmëri në furnizimin me barna. Sipas saj, ekipet janë në gatishmëri për të adresuar situata emergjente që lidhen me pacientët.

Ajo shtoi gjithashtu se po punohet për hartimin e protokolleve të trajtimit të standardizuara sipas praktikave të Bashkimit Evropian, me qëllim sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm me barna në të ardhmen.

“Kemi marrë disa masa për qendrueshmëri në furnizimin me barna. Ekipi është gjithmonë në alert për të adresuar situatat akute për pacientët, por duhet një zgjidhje e përhershme.
Kemi punuar edhe për protokolle shumë të mira që linjat e trajtimit të jenë të standartizuara sipas BE, kjo bën që të kemi një furnim të qëndrueshëm”, u përgjigj ministrja.

 

Lini një Përgjigje