Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin e deputetit dhe kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga punimet e Kuvendit për një periudhë 20-ditore.
Vendimi erdhi pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me incidentin e ndodhur gjatë seancës plenare të së hënës.
Gjatë zhvillimit të seancës, Shehaj zuri foltoren e Kuvendit dhe refuzoi ta lironte atë edhe pas tërheqjes së vëmendjes. Veprimi pengoi vijimin normal të punimeve parlamentare.
Pas shqyrtimit të rastit, Sekretariati i Etikës vendosi masën disiplinore që e përjashton deputetin nga aktivitetet parlamentare për 20 ditë.
Kujtojmë se në seancën e së hënës, Agron Shehaj u përjashtua nga Kuvendi, pasi u përplas me socialistët për banorët e Rrjollit. Këta të fundit janë në protestë që prej 1 muaji, pasi kundërshtojnë ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt, në tokën që e pretendojnë të tyren. Ai hodhi akuza për dhunë ndaj këtyre banorëve.
Gjatë fjalës së tij, Shehaj tha se banorët e Rrjollit po dhunohen dhe po u grabitet prona nga oligarku Bashkim Ulaj.
“Askush nuk foli këtu me një çështje që ka prekur pjesën më të madhe të shqiptarëve. Kjo ka ndodhur falë pushtetarëve të korruptuar. Kjo këtu është një pamje që tregon sesi dhunohet një qytetar shqiptar. Ndërkohë që Taulanti zgërdhihet. Taulant e ke parë këtë grushtin Taulant? Ky djali që rrahin me grushta është një 19 vjeçar që mbron pronën e vet, ku ka lindur, jetuar e është rritur, ndërkohë që ju ja keni vjedhur. 150 hektarë i keni marrë gjithë fshatit. Ja ka marrë ish-drejtori i Hipotekës Taulant. Pasi keni vjedhur pronën, tani po i dhunoni. Ja ka marrë me atë që Belinda Balluku përmendte në përgjim dhe thoshte ‘i kemi bërë nderin e jetës, i kemi dhënë rrugën Thumanë-Kashar 1.3 miliardë euro. T’ju vijë turp, ka qytetarë që dhunohen nga Policia e Shtetit dhe Policia private”, tha mes të tjerash Shehaj.
Drejtuesja e seancës i fiku mikrofonin Shehajt dhe kaq mjaftoi që të niste përplasjen me deputetët e Partisë Socialiste.
Lini një Përgjigje