Aktualitet23 Mars 2023, 14:30

“Gërdeci”/ Dështon sërish seanca paraprake për Fatmir Mediu, gjykata nuk legjitimoi si palë familjarët e viktimave

Shkruar nga Pamfleti
“Gërdeci”/ Dështon sërish seanca paraprake për
Zamira Durda dhe ish ministri Fatmir Mediu

Ditën e sotme është shtyrë për të dytën herë radhazi seanca paraprake në GJKKO për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Seanca paraprake do të zhvillohej sot për të vendosur nëse çështja e Gërdecit do të kalojë ose jo për gjykim, por gjykata nuk ka pranuar që familjarët e viktimave të jenë palë në këtë proces. 

Seanca paraprake e radhës do të mbahet më 4 prill ora 2.30. Ndërkohë avokati i familjes Durda, Dorian Matila tha për mediat se edhe familjarët e viktimave duhet të jenë pjesë e procesit. Nga ana tjetër këtë qëndrim ka mbajtur edhe avokati i Mediut, Ardian Visha. Pas kërkesës së familjarëve për të palë në çështje, Prokuroria ka kërkuar kohë dhe kështu u vendos që seanca të shtyhet më 4 prill.

Një deklaratë për mediat ka dhënë dhe Zamira Durda, nëna e djalit 7 vjeçar që humbi djalin në tragjedinë e Gërdecit.“Kemi bërë kërkesë por nuk na thirrën. Nuk e di se çfarë vendimi morën sepse n uk ishim.  Ne jemi kërkues të hapjes së çështjes Gërdeci”- tha ajo.

SPAK ka dërguar për gjykim ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Posaçme ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për dy akuza; atë të shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarakë, kuadër komandues.

Fatmir Mediu është marrë dhe më herët i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme, por në vitin 2009 kur dosja e tij penale po gjykohej në Gjykatën e Lartë për shkak se ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ligji i kohës parashikonte se ndjekja penale apo gjykimi nuk mund të vazhdonte dhe vendosi ta pushonte çështjen.

Me krijimin e SPAK ishte Zamira Durda, nëna e një fëmije të mitur që gjeti vdekjen në Gërdec, e cila kërkoi rihetimin e çështjes dhe gjykimin e Mediut, pasi sipas saj për tragjedinë e Gërdecit nuk është bërë drejtësi. Prokuroria e Posaçme duke mos qenë kompetente në krye të herës për të hetuar këtë çështjes, përderisa kishte një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë iu drejtua Gjykatës dhe shkalla e parë e rrëzoi prokurorinë për rihapjen e kësaj dosje.

Ishte Apeli i Posaçëm i cili i hapi dritën jeshile hetimit të dosjes Gërdeci dhe tashmë Prokuroria e Posaçme e ka përfunduar hetimin sa i përket ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe e dorëzoi në Gjykatë dosjen penale duke argumentuar se mburoja e imunitetit kishte rënë dhe nuk kishte asnjë pengesë që Mediu të gjykohet për dy vepra penale.

tragjedia e gërdecit mediu