TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Qershor 2026, 20:38

"Gjatë operacionit iu fikën dritat", halla e Erjon Bobës demaskon sistemin shëndetësor

Shkruar nga Pamfleti
"Gjatë operacionit iu fikën dritat", halla e Erjon
Viktima Erjon Boba

Një nga momentet më prekëse të protestës së mbajtur këtë të shtunë para Kryeministrisë ishte fjalimi i hallës së 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili humbi jetën pasi u qëllua me thikë nga një bashkëmoshatar.

Mes lotësh dhe emocionesh, ajo rrëfeu dhimbjen e familjes, ndërsa artikuloi akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore, duke pretenduar se në tragjedinë që i mori jetën nipit të saj ka ndikuar edhe gjendja e sistemit shëndetësor.

“Unë jam halla e Erionit. Ai u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, por e vrau edhe shteti, sepse gjatë operacionit u fikën dritat në spital! Plagët e këtij vendi janë lotët e nënave shqiptare që nuk i kanë fëmijët. Të bashkohen me të gjitha lotët e tyre, që peshojnë shumë mbi tokën shqiptare. Unë jam mësuese dhe jam poete që shkruaj, por pena ime loton për Erionin prej muajsh. Dhimbja jonë do shërohet kur të shërohet Shqipëria. Shporruni të shpëtojë ky vend! Bravo rinia shqiptare, e gëzofshi Shqipërinë e bukur!”, u shpreh ajo para protestuesve.

Fjalimi i saj u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa shumë protestues e shoqëruan me thirrje për drejtësi. Deklarata e familjares së 15-vjeçarit riktheu në vëmendje rastin që tronditi opinionin publik dhe debatet mbi sigurinë e të rinjve, funksionimin e institucioneve dhe sistemin shëndetësor në vend.

Prania e saj në protestë ishte një nga momentet më emocionale të tubimit, ku zëri i familjarëve të viktimave u bashkua me thirrjet e protestuesve për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

vdekja tragjike e erjon bobes protesta

Lini një Përgjigje