Aktualitet24 Korrik 2023, 15:55

Gjykata e Lartë hap garën për zgjedhjen e 3 anëtarëve të rinj të KLGJ

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata e Lartë hap garën për zgjedhjen e 3 anëtarëve

Është hapur gara për tre anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kjo pasi në datën 12 dhjetor 2023 përfundojnë mandatin e plotë 5 vjeçar, tre anëtarë të KLGJ-së, 2 (dy) nga të cilët janë zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të gjykatës së shkallës së parë dhe 1 (një) nga radhët e gjyqtarëve të apelit.

Ndërkohë zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi  ka njoftuar sot shpalljen për hapjen e procedurës së aplikimit të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Brenda datës 4 shtator gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin një kërkese me shkrim drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Bazuar në nenin 10, pika 3 të ligjit nr.115/2016, të ndryshuar, kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, bashkë me shprehjen e interesit, duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme:

jetëshkrimin e përditësuar;

deklaratat individuale të gjyqtarëve që i kanë mbështetur, të nënshkruara rregullisht

formularin e vetëdeklarimit, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;

një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të inteligjencës përpara 2 korrikut 1991.

një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete

 informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor. Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton dhe vë në dispozicion të të interesuarve një formular tip për dhënien e këtij informacioni,

listën e personave të lidhur, të përcaktuar në ligjin për “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, thuhet në njoftim.

klgj gara anëtarët e rinj