Aktualitet30 Nëntor 2023, 09:00

Gjyqi për Gërdecin, shkon në gjykatë Fatmir Mediu

Shkruar nga Pamfleti

Gjyqi për Gërdecin, shkon në gjykatë Fatmir Mediu

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka shkuar ditën e sotme në seancën që do të zhvillohet për Gërdecin.

Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së dy avokatëve të të pandehurit, Fatmir Mediu. Henrik Ligori nuk ishte prezent për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa Ardian Visha ndodhet jashtë shtetit.

GJKKO ka pranuar që të thërrasë në total 71 dëshmitarët e SPAK mes tyre dhe djali i ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha si dhe një numër të madh të dëshmitarëve të palës mbrojtjëse.

Me nismë të Zamira Durdës dhe familjarëve të tjerë që humbën të afërmit e tyre në shpërthimin e Gërdecit, SPAK rihapi hetimet për çështjen. Zamira humbi djalin e saj 7-vjeç 

SPAK ka ngritur akuza ndaj Fatmir Mediut, i cili akuzohet për “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në "fabrikën" e demontimit të armëve ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë në 2008. 

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.

gjyq gerdeci fatmir mediu