
Rastet e mesazheve SPAM në WhatsApp janë shtuar së fundmi, duke ngritur shqetësime për sigurinë e llogarive dhe për aksesin në të dhënat personale që ndodhen në telefonat celularë.
Eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi ka shpjeguar mënyrën se si funksionon kjo skemë mashtrimi dhe çfarë ndodh pasi hakerët arrijnë të marrin përkohësisht akses.
“Nga një SMS apo mesazh në WhatsApp nuk rrezikohen të gjitha të dhënat personale, por mund të bllokohet për disa orë aksesi në aplikacion. Një palë e tretë nuk mund të marrë kontrollin e numrit tuaj dhe as të ketë akses në materialet që ndodhen në telefon”, tha Kallanxhi për "News 24".
Sipas tij, lidhjet SPAM përdoren kryesisht për të marrë kontrollin e llogarive në Facebook të përdoruesve mbi 45 vjeç, të cilët ai i cilësoi si “naivë digjitalë”.
“Profilet e marra përdoren më pas për të shpërndarë linqe me përmbajtje të paligjshme në rrjetet sociale, si reklama për kriptomonedha apo produkte që nuk lejohet të promovohen në Facebook. Zakonisht, brenda një ose dy javësh, platforma e identifikon këtë aktivitet dhe bllokon llogarinë”, u shpreh ai.
Eksperti i IT-së bëri thirrje për kujdes maksimal, duke theksuar: “Kodet me gjashtë shifra që vijnë nga Facebook apo WhatsApp nuk duhet të ndahen me askënd, në asnjë rrethanë”.
Lini një Përgjigje