TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Shkurt 2026, 21:47

Kushtetuesja lë në fuqi pezullimin e Ballukut, nuk arrin kuorumin e votave për ankimimin e Ramës

Shkruar nga Pamfleti

Kushtetuesja lë në fuqi pezullimin e Ballukut, nuk arrin kuorumin e

Kushtetuesja lë në fuqi pezullimin e Ballukut...

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku nga detyra do të mbetet në fuqi. Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur të marrë një vendim pro apo kundër ankimit të kryeministrit Edi Rama, i cili pretendonte se pezullimi i një ministri është shkelje Kushtetuese, pasi GJKKO ka marrë kompetencat e tij, Kuvendit dhe Presidentit.

Sot gjyqtarët u mblodhën në Dhomë Këshillimi për afro 10 orë dhe në fund pati një votim, ku votat u ndanë 4 me 4. Kushtetuesja aktualisht është me 8 anëtarë, pasi një prej anëtarëve të larguar nuk është zëvendësuar ende.

Që të merret një vendim, qoftë kundër apo pro, duhen së paku 5 vota. Fakti që anëtarët janë ndarë 4 me 4, do të thotë se nuk merret dot një vendim mbi ankimimin e Kryeministrit dhe do të thotë se mbetet në fuqi vendimi i GJKKO e cila pezulloi Ballukun nga detyra.

Vendimi vjen pas disa seancash të gjata gjatë janarit dhe shkurtit 2026, ku qeveria argumentoi se pezullimi krijon vakum institucional, shkel balancën e pushteteve dhe cenon funksionimin normal të ekzekutivit për një zëvendëskryeministre të zgjedhur politikisht. Nga ana tjetër, SPAK insistoi se rikthimi i saj në detyrë rrezikon “helmimin” dhe prishjen e provave në hetimin për shkelje të barazisë në tendera

Si nisi përplasja?

Çështja nisi në tetor të vitit 2025, kur SPAK regjistroi Ballukun si të pandehur për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publike. Pas paraqitjes së saj në SPAK, ajo u vu zyrtarisht nën hetim.

-Më 11 nëntor 2025, SPAK kërkoi nga GJKKO pezullimin e saj nga detyra, me arsyetimin se mund të ndikonte në provat e hetimit. GJKKO pranoi kërkesën dhe e pezulloi Ballukun.

-Më 21 nëntor 2025, Qeveria iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e pezullimit, duke argumentuar se krijohet vakum institucional në ekzekutiv, shkelet balanca e pushteteve dhe cenohen funksionet normale të qeverisë për një zëvendëskryeministre të zgjedhur politikisht.

-Më 12 dhjetor 2025, Kushtetuesja pezulloi përkohësisht efektet e vendimit të GJKKO-së dhe riktheu Ballukun në detyrë deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

-Më 16 dhjetor 2025, SPAK i dërgoi zyrtarisht Kuvendit kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut (si deputete), çka nënkupton heqjen e imunitetit parlamentar.

-Më 22 Janar 2026, Qevria dhe SPAK përballen në Gjykatën Kushtetuese, palët paraqesin argumentat e tyre. SPAK mbrojti në Gjykata Kushtetuese masën e pezullimit ndaj Belinda Balluku, duke e cilësuar atë proporcionale dhe të nevojshme për të shmangur komprometimin e provave. Nga ana tjetër Qeveria e quajti pezullimin antikushtetues dhe paralizues për ekzekutivin.

-Më 27 Janar 2026, Kushtetuesja mblidhet për të marrë një vendim për çështjen e Ballukut, por në fund kërkon më shumë kohë duke e shtyrë vendimarrjen për një datë tjetër.

-Më 3 shkurt 2026, Gjykata Kushtetuese mblidhet sërish për çështjen e Ballukut por nuk arrin dot të marrë një vendim, gjë që bëri që marrja e vendimit të shtyhet sërish.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 06.02.2026 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër; shfuqizimi i vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.

Paraprakisht Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pikat 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të Ligjit Organik të saj.

Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon ntë mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj. Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.

Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:

Rrëzimin e kërkesës.

Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës

12.12.2025.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës.

 

balluku kushtetuesja

2 Komente

  1. P
    Parku Rinia

    ..... e studiuar deri ne detaje ne tavolinat e nentavolinat e e interesave, keshtu U KRIJUA AUTOMATIKISHT PRECEDENTI, MENJEHERE I PREKSHEM E I APLIKUESHEM ..... = = = pas rrezimit te kerkeses nga ana e Gjykates Kushtetuese, permes SPIRALEVE te ¨ARSYETIMEVE¨ = ¨alias, e lagu, s'e lagu !¨, KUVENDI / PARLAMENTI do te vendose : RREZIMIN E KERKESES SE SPAK-GJKKO-se per HEQJEN E IMUNITETIT PER DEPUTETEN ... Be-Linda Balluku .

    1. T
      Tarrasi

      Te gjithe kane te drejte thote GJK-ja.

      Lini një Përgjigje