
GJKKO ka lënë në burg kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla dhe 11 zyrtarët e tjerë. Ndërsa dy tjerë janë lënë në 'arrest shtëpie'.
Sipas SPAK, gjatë procedurës së prokurimin publik me procedurë të hapur me objekt “Ndërtimi i rrjetit të furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 lekë të reja në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, dhe punonjësit e tjerë, si specialiste e prokurimeve, anëtarët e KVO, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.
Në një kohë që nga hetimi ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.
Avokati i kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla, ka reaguar në lidhje me masën e sigurisë të dhënë për klientin e tij, “Arrest me burg”.
“Lefter Alla ka qenë biznesmen i suksesshëm edhe para marrjes së detyrës në krye të bashkisë Bulqizë, nuk ka ndërhyrë në ndonjë tender me 3 mln euro. Edhe në Bulqizë ka jetë, por nëse ai popull është pa bukë le të ngelë edhe pa atë kanal, edhe pa ujë, 90 përqind e punimeve janë kryer. Nuk ka hetuar fare prokuroria si është puna në terren. Mos paragjykojmë të vijojnë hetimet”, tha ai.
“Në gjykimin tim më mirë të më thonin 'hap krahun', se sa të bëhen këto gjyqe politike”. Kështu është shprehur kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla para trupës gjykuese para se të njihej me masën e sigurisë pas akuzave për abuzimin me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro.
Të arrestuarit dhe akuzat:
Lefter Alla, kryetari i Bashkisë së Bulqizës, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”
Enkeleda Lleshi, nënkryetarja e Bashkisë së Bulqizës, (arrest me burg) akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, dhe “Shpërdorimi i detyrës”,
Rubin Kola,Inxhinier urbanistike, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Erion Isaku, Drejtor i Urbanistikës, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Leonard Daci, Sekretar i Përgjithshëm (i arrestuar, ende pa masë sigurie), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Arsen Gjoka,Drejtor i NJVKSH Bulqizë, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Kujtim Zogu, Drejtor i Mbrojtjes Civile,(arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Denis Xholi, Ish Drejtor Juridik, (arrest me burg), “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Rasim Daci, administrator i ‘BOE Egland shpk’, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”
Dalo Gazidedja, (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”
Aqif Konesha, administrator i ‘OE 2AF Albania shpk’ , (arrest me burg), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”
Kastriot Ibrahimaj, administrator i 'BE-IS shpk’, (arrest shtëpie), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”
Ana Nishku (arrest shtëpie), akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”
Nga hetimet ka dyshime të forta se kryebashkiaku Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë Enkeleda Lleshi, si edhe punonjësit e tjerë kanë favorizuar dy kompanitë ‘BOE Egland shpk’, dhe ‘BE-IS shpk’, gjatë procedurës së prokurorimit publik. Ky favorizim i këtyre dy kompanive është bërë me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Koneshës.
Po ashtu se Prokuroria e Posaçme ka në dorë përgjimet ambientale që rëndojnë pozitat e kryebashkiakut Alla. Përmes këtyre përgjimeve SPAK ka provuar se Alla ka pasur kontakte dhe komunikime me biznesmenin Aqif Konesha i kompanisë që kryente punimet për ujësjellësin e Bulqizës. Madje, Alla, në shoqëri të Koneshës ka udhëtuar jashtë vendit me makinë, dyshohet në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
Mësohet se zëvendëskryetarja e bashkisë Bulqizë, Enkeleda Lleshi, kishte dhënë më herët dorëheqje nga detyra pasi nuk donte të bëhej palë në firmosjen e tenderëve, por është bindur që të rikthehet.
Ndaj kryebashkiakut Alla dhe nënkryetares Lleshi rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërkohë, ndaj të afërmit të Allës, Aqif Konesha rëndon akuzat për veprë penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Po për falsifikim dokumentesh akuzohen edhe dy administratorët, Rasim Daci dhe Kastriot Ibrahimaj, ky i fundit është lënë në arrest shtëpie.