
I akuzuar për shkeljet me tenderin e ujësjellësit, sekretari i përgjithshëm në Bashkinë Bulqizë, Leonard Daçi është paraqitur në GJKKO rreth 2 orë pas nisjes së seancës.
Ai erdhi i shoqëruar nga avokati Arben Peci, ku trokiti në dyert e sallës duke vënë në dijeni trupën gjykuese se ishte një nga të pandehurit e dosjes, dhe ndaj tij ishte marrë në mungesë masa e sigurisë "arrest me burg". E teksa ishte në banesë pretendon ai, dëgjoi emrin e vet që përmendej në media si një nga të arrestuarit, por në fakt ai ndodhej në Tiranë.
Daçi njoftoi avokatin duke i kërkuar mendim, i cili i sugjeroj të paraqitej në gjykatë. Aktualisht Daçi ndodhet brenda sallës së gjyqit, por ai u la të vlerësohet në një moment të dytë pas bërjes së procedurave.
Nga hetimet ka dyshime të forta se kryebashkiaku Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë Enkeleda Lleshi, si edhe punonjësit e tjerë kanë favorizuar dy kompanitë ‘BOE Egland shpk’, dhe ‘BE-IS shpk’, gjatë procedurës së prokurorimit publik. Ky favorizim i këtyre dy kompanive është bërë me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Koneshës.
Kryebashkiaku Alla në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë kanë miratuar kritere për të favorizuar dy firmat ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’ që morën pjesë në tender. Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për uijësjellësin realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kanë si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i 'BE-IS shpk’, është Kastriot Ibrahimaj.
Ndaj kryebashkiakut Alla dhe nënkryetares Lleshi rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërkohë, ndaj të afërmit të Allës, Aqif Konesha rëndon akuzat për veprë penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Po për falsifikim dokumentesh akuzohen edhe dy administratorët, Rasim Daci dhe Kastriot Ibrahimaj, ky i fundit është lënë në arrest shtëpie.