
Eksperti i sigurisë Shemsi Prençi ka treguar se ku dështoi shteti me atentatin në Rinas. Sipas tij, kjo zon është më e pasigurt në vend, edhe pse duhej të ishte e kundërta. I ftuar në “Të Pashoq”, ai tha se aty dështuan të gjitha institucionet, sidomos policia.
“Zona e Rinasit është vërtet vendi më i pasigurt dhe tashmë e kanë piketuar grupet kriminale si një vend ku mund të lajnë hesapet. Sepse ndërkohë personat që fluturojnë nga Tirana në drejtim të vendeve të ndryshme të botës, mendojnë se aty janë të sigurt, ndërsa bota e krimit e ka konsideruar vendin më të pasigurtë dhe vendin më të përshtatshëm për të larë hesapet.
Dhe unë kështu e kam lexuar ngjarjen sepse fakti që nuk reagoi asnjë lloj policie për 15 minuta, ndërkohë që ishte vetëm 5 metra larg stacionit të policisë së Rinasit, tregon se nuk ka një plan masash për reagimin e shpejtë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar që ka Shqipëria. Dhe kur nuk ka një plan të reagimit të shpejtë të policisë, të shërbimit zjarrfikës apo diçka tjetër, sepse përpos asaj, mos harrojmë, përpos ngjarjes kriminale, pamë që edhe i plagosuri u nxorr nga qytetarët me leva, ndërkohë që duhet të kishte shkuar mjetet zjarrfikëse, të cilat janë të një trajnimi të veçantë në aeroportin e Rinasit, por nuk shkuan në vendngjarje. Pra, shkuan me shumë vonesë policia, zjarrfikësit nuk vajtën fare, nuk pati shërbim të urgjencës spitalore, çka do të thotë që niveli i gatishmërisë për shërbimet e emergjencës të policisë dhe të emergjencës civile ishin në nivele zero”, tha ai.
Lini një Përgjigje