
Erion Isai, kryebashkiaku I Kolonjës,është paraqitur në Prokurorinë Speciale.
Paraqitja në SPAK vjen dy javë pasi SPAK-u zgjati hetimet lidhur me akuzat për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankade publike” , “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentash”.
Isai bashkë me 5 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Kolonjës, u morën të pandehur nga SPAK në fund të shtatorit në lidhje me dy tendera atë të rrugës Korçë-Ersekë dhe për Ujësjellësin e Kolonjës.
Tenderi i rrugës Korçë-Ersekë, një pjesë e së cilës u shemb sapo u ndërtua, u bë shkak që kryebashkiaku Isai të thirrej për herë të parë në SPAK në maj të vitit 2023. Mes të pandehurve është edhe firma projektuese e rrugës A&E ENGINEERING, në pronësi të Entela Çano, e cila dyshohet se kishte lidhje me Isain. Kompania e Entela Çanos ishte edhe mbikëqyrëse e punimeve, pra që do të garantonte cilësinë e punimeve.
Ajo fitoi tenderin gati sa fondi limit me vlerë gati 200 mijë euro.
Ndërtimi kësaj rruge u realizua nga kompania “A. N. K.”, ndërsa prokurues është Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Në vitin 2022, për Lotin e Dytë u dhanë mbi dy miliardë lek nga buxheti i shtetit, ose 21 milionë euro.
Përveç komunikimeve të akuzave, SPAK po vijon hetimet për rolin e ARRSH si autoritet tenderues dhe kompanisë A.N.K e cila ka përfituar tenderin dhe ka kryer punimet e rrugës Korçë-Ersekë. Kjo firmë ndërtuese rezulton në pronësi të Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola.
Lini një Përgjigje