Në GJKKO u zhvillua seanca gjyqësore për të pandehurit e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku u shënuan debate mes mbrojtjes dhe prokurorisë lidhur me kërkesat paraprake të paraqitura nga avokatët.
Avokati i Amar Shkëmbit kërkoi që gjykata të verifikojë gjendjen mendore të klientit të tij, duke pretenduar se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor që mund të ndikojnë në përgjegjshmërinë e tij në këtë proces.
“Kam konstatuar që Amar Shkëmbi nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë gjykimit paraprak unë kisha kërkuar informacion në spitalin e burgut dhe në spitalet e Tiranës ku ai kishte marrë trajtime dhe, duke qenë se këto informacione kanë ardhur, jam i detyruar t’ua përcjell. Klienti im vuan nga probleme të shëndetit mendor që shfaqen në çdo rast. Kërkesën e kam të shoqëruar me informacionet mjekësore; kërkoj të verifikohet përgjegjësia e Amar Shkëmbit në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në këtë procedim, në lidhje me sëmundjet mendore, nëse kjo sëmundje e pengon apo jo për të vijuar pjesëmarrjen e tij në këtë çështje. Janë elemente që, pa u verifikuar, nuk mund të vijojë gjykimi. Në seancat paraprake nuk i kam pasur këto pretendime sepse nuk kisha informacionet nga institucionet përkatëse. Subjekti duhet të verifikohet nga ana e përgjegjshmërisë”, deklaroi avokati.
Nga ana tjetër, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, u shpreh se dokumentacioni i paraqitur nga mbrojtja duhet të vlerësohet nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe jo nga juristët.
“Nuk pashë që avokati kishte një kërkesë specifike. Ne duhet të vazhdojmë gjykimin e themelit dhe, nëse ka kërkesë respektive për kryerjen e një ekspertimi, është e drejtë e avokatit. Dokumentacioni që ka paraqitur nuk mund të vlerësohet nga ne si juristë, por duhet të shqyrtohet nga ekspertë të mjekësisë ligjore. Nuk dëgjova nëse ka pasur apo jo kërkesë nga avokati për ekspertim të shëndetit apo për zëvendësim mase. Nuk jemi në kompetencë të shprehemi për dokumentat shëndetësore”, tha prokurori.
Gjykata vendosi të mos marrë në konsideratë kërkesën e avokatit për Amar Shkëmbin, duke argumentuar se i pandehuri ka qenë i pranishëm në seancën e kaluar.
Në seancën paraprake u paraqitën edhe kërkesa të tjera nga mbrojtja. Avokati i Bledar Polovinës kërkoi që klienti i tij të gjykohet me procedurë të shkurtuar, ndërsa mbrojtësi ligjor i Amar Shkëmbit kërkoi shpalljen të papërdorshme të disa procesverbaleve.
Prokuroria kundërshtoi këtë kërkesë, duke deklaruar: “Të rrëzohet kërkesa për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri si e pabazuar në ligj dhe prova.”
Ndërkohë, avokati i Amar Shkëmbit kërkoi kohë për të formalizuar me shkrim kërkesat e tij, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 2 prill, në orën 09:00. Çështja në themel do të shqyrtohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Paulin Çera si kryesues, me anëtarët Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka.
Lini një Përgjigje