Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Resorti luksoz i Bashkim Ulajt/ Banorët e Rrjollit protestë para SPAK
Banorët e fshatit Rrjoll po protestojnë sot përpara Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar hetim për atë që ata e konsiderojnë grabitje të pronave të tyre në zonën e Velipojës.
Protestuesit mbajnë në duar pankarta dhe dokumente që, sipas tyre, vërtetojnë pronësinë mbi tokat, ndërsa në disa postera shprehej besimi tek drejtësia e SPAK për të zbardhur çështjen. Gjatë protestës, disa prej tyre qëlluan me vezë në drejtim të godinës së prokurorisë.
Sipas banorëve, toka që po përdoret për ndërtimin e një resorti turistik luksoz u është marrë në mënyrë të paligjshme. Ata pretendojnë se pronat janë regjistruar në mënyrë abuzive nga ish-drejtori i Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, dhe më pas janë kaluar për zhvillim investimi nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj.
Prej më shumë se një muaji, konflikti për pronësinë e tokës në Rrjoll ka shkaktuar tensione në zonë. Banorët janë përplasur me punonjësit e kompanisë së investitorit, me efektivë të policisë dhe me roje private të kompanisë “Breçani Security”, të cilët sipas tyre janë angazhuar për ruajtjen e kantierit të ndërtimit.
Ngrihet Task Forca kundër abuzimeve/ Lufta në Lindjen e Mesme rrit çmimin e naftës në Shqipëri
Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, ku u dakordësua plani operacional për ngritjen e një Task Force të përbashkët mes dy institucioneve.
Kjo strukturë e përbashkët do të përqendrohet në rritjen e kontrollit dhe të efikasitetit tatimor e doganor në sektorin e hidrokarbureve, si në tregtimin me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë. Qëllimi është parandalimi i rritjeve abuzive të çmimeve të karburanteve dhe mbrojtja e konsumatorëve.
Ministri Malaj theksoi se ngritja e këtij grupi operacional lidhet edhe me zhvillimet e fundit ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në tregun e hidrokarbureve.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të zhvillohen në të gjithë territorin e vendit dhe do të fokusohen tek subjektet e identifikuara me risk.
Ai theksoi se do të krijohen grupe të përbashkëta kontrolli me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të siguruar që aktiviteti i subjekteve të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi, që çdo shitje të regjistrohet fiskalisht dhe që karburanti i tregtuar të ketë përmbushur të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi se institucionet kanë koordinuar planin operacional dhe kanë nisur procesin e analizës së riskut.
Ultimatumi i amerikanëve dhe dyshimet për financime ruse/ Anulohet tenderi 400 mln euro për Porto Romanon
Pas kritikave nga amerikanët, procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar.
Kjo ka ardhur pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk paraqiti ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar.
Kompania Archirodon, e cila ishte e vetmja që vijonte në garë në fazën përfundimtare të tenderit, nuk dorëzoi ofertën e saj financiare më 9 mars.
Tenderi me vlerë prej rreth 400 milionë eurosh synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Porto Romanos.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, i ka drejtuar një email kryeministrit Edi Rama dhe disa zyrtarëve të lartë të qeverisë lidhur me projektin e portit të Porto Romanos dhe tenderin e planifikuar për datën 9 mars.
Në letrën e tij, Van Cleeve e cilëson vendimin për këtë projekt si një moment strategjik për Shqipërinë, duke theksuar se portet ndërtohen zakonisht vetëm një herë në një shekull dhe se dimensioni fillestar i tyre përcakton potencialin ekonomik dhe gjeopolitik të vendit për dekada.
Sipas Van Cleeve, projekti aktual për Porto Romanon është shumë i kufizuar në përmasa dhe rrezikon të mos e shfrytëzojë potencialin strategjik të Shqipërisë në rajon.
Në këtë kontekst, ai thekson se Shqipëria ka mundësinë të bëhet një nyje logjistike për Evropën Juglindore nëse
Porto Romano zhvillohet në një shkallë më të madhe.
Në përfundim të letrës, ai kërkoi që tenderi për Porto Romanon i planifikuar për 9 mars të shtyhet, në mënyrë që projekti të rishikohet në përputhje me kërkesat e NATO-s dhe zhvillimin e Korridorit 8.
Opozita ka denoncuar se, pas fituesve të projektit të Porto Romanos qëndrojnë interesa të kundërshtarëve të NATO-s, Rusisë.
Sipas kreu të PD, Sali Berishës, Rama do që porti të ndërtohet nga rusët, por kjo gjë është zbuluar nga aleatët e NATO-s.
SKANDAL/ Kolapson rrjeti i “One Albania”
Mijëra klientë pa telefonata dhe internet për orë të tëra
Mijëra abonentë të kompanisë celulare “One Albania” u përballën mbrëmjen e sotme me ndërprerje të plotë të shërbimit, duke mbetur për orë të tëra pa telefonata dhe pa internet
Prej më shumë se dy orësh, para mesnate, përdorues nga zona të ndryshme të vendit raportojnë se rrjeti i kompanisë nuk funksionon. Telefonatat nuk realizohen, ndërsa interneti celular nuk hapet. Në shumë raste telefoni shfaq rrjetin, por sistemi nuk lejon asnjë komunikim.
Situata ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët, të cilët raportojnë se nuk mund të kryejnë as komunikimet më bazë. Shërbimi celular përdoret çdo ditë për punë, për komunikim familjar dhe për shërbime online, ndërsa ndërprerja e tij krijon probleme të drejtpërdrejta për përdoruesit.
Pavarësisht këtij problemi që prek mijëra abonentë, kompania “One Albania” nuk ka dhënë deri tani asnjë shpjegim publik për shkakun e ndërprerjes së rrjetit. Kompania nuk ka publikuar asnjë njoftim zyrtar dhe nuk ka informuar klientët se kur do të rikthehet normalisht shërbimi.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje