TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Korrik 2026, 11:58

"Jeni të paaftë apo të papërgjegjshëm?" Xhafaj ndaj KLP-së: Administratë me 'qoka', punësime klienteliste

Shkruar nga Pamfleti
"Jeni të paaftë apo të papërgjegjshëm?"
Xhafaj dhe Bogdani

Fatmir Xhafaj e cilësoi KLP një nga hallkat më të dobëta të reformës në drejtësi. Ai akuzoi institucionin për vendimmarrje të diskutueshme, mungesë planifikimi për vakancat dhe tolerim të praktikave klienteliste në administratë…

Komisioni i Posaçëm për Mirëqeverisjen, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, kaloi në shqyrtim punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kryetari i komisionit e vlerësoi se, pavarësisht disa përmirësimeve, KLP mbetet një nga institucionet më problematike të sistemit të drejtësisë.

"Në vlerësimin tim, në punën e KLP ka disa hapa pozitivë, por mbetet një nga sistemet më të dobëta të drejtësisë në Shqipëri. Shumë çështje që lidhen me sistemin e prokurorisë gjenerojnë nga vendimmarrje të diskutueshme të KLP. Krahasuar me vitet e tjera ka përmirësim, por krahasuar me kompetencat që i jep ligji dhe pritshmëritë e Bashkimit Europian, ka ende shumë për të bërë", deklaroi Xhafaj.

Një nga përplasjet kryesore lidhej me mungesën e prokurorëve. Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, pranoi se sistemi përballet me vakanca të larta, por kjo nuk e bindi Xhafajn.

Ai kritikoi faktin që KLP i ka kërkuar Shkollës së Magjistraturës vetëm 12 prokurorë të rinj, ndërkohë që sistemi ka mbi 100 vende bosh.

"Keni qenë të paaftë të bëni këto llogari apo ka papërgjegjshmëri? Me mbi 100 vakanca kërkoni vetëm 12 prokurorë. Nuk kërkoni rritje të numrit të përgjithshëm të prokurorëve dhe as shtim të kuotave në Shkollën e Magjistraturës. Si do të zgjidhet kjo situatë?", iu drejtua ai Bogdanit.

Kryetarja e KLP-së argumentoi se institucioni ka zgjedhur të ruajë standardin e cilësisë. "Arsyeja që u parashtrua ishte cilësia e kandidatëve dhe jo numri i tyre", tha Bogdani.

Xhafaj ngriti akuza edhe për mënyrën si funksionon administrata e institucioneve të drejtësisë. Sipas tij, vendet e punës nuk duhet të përdoren për favorizime familjare apo politike.

"Keni nevojë për staf, por jo për të bërë qoka, për të marrë shokët, miqtë, burrat, gratë apo fëmijët e prokurorëve, gjyqtarëve dhe politikanëve. Disa institucione janë kthyer në vende ku punësohen familjarët e sistemit", deklaroi ai.

Bogdani u përgjigj se trajnimet e administratës organizohen nga ASPA ose me mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë. Ajo propozoi gjithashtu që anëtarët e institucioneve kolegjiale të trajnohen para marrjes së mandatit dhe gjatë ushtrimit të tij.

Sa i përket emërimit të drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Bogdani tha se procesi sapo ka hyrë në fazën e tij dhe kërkon kohë për të respektuar standardet ndërkombëtare.

Ajo reagoi edhe për debatet publike brenda KLP-së. Bogdani kërkoi ndjesë për tonet e përdorura në disa raste, duke argumentuar se konfliktet janë të zakonshme në organet kolegjiale. Sipas saj, institucioni po punon për miratimin e një kodi etik që synon të rregullojë komunikimin mes anëtarëve.

"Masat për dialogun ndërinstitucional, kërkojmë ndjesë për tonet shpeshherë të ngritura të debateve, në institucionet kolegjiale lind natyrshëm një lloj konflikti, për to mos folur pastaj për qasjet.

Ne kemi shpeshherë përballje të forta lidhur me të njëjtin koncept për mënyrën si duhet adresuar. Kemi marrë masa dhe besoj që nëse nuk arrijmë të kemi dakordësi ose zgjidhje të përshtatshme, do të miratojmë rregulla etike”, tha ajo.

xhafaj klp akuza

1 Komente

  1. K
    Koha

    Kujton Fatmir Xhafak se mund te vazhdoj tu hedh hi syve shqiptarve ende?! Vraj natën e qaj ditën!

    Lini një Përgjigje