TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Korrik 2026, 19:28

Netanyahu përplaset me Trumpin për Turqinë: Mos i jepni F-35 Erdoganit, prish ekuilibrin e Lindjes së Mesme!

Shkruar nga Pamfleti

Netanyahu përplaset me Trumpin për Turqinë: Mos i jepni F-35

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar Presidentit amerikan Donald Trump të mos miratojë shitjen e avionëve luftarakë F-35 Turqisë, duke paralajmëruar se një vendim i tillë do të prishte ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme dhe do të forconte një shtet që, sipas tij, nuk është aleat i besueshëm i SHBA-së.

Vetëm disa orë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se po shqyrton mundësinë e shitjes së avionëve luftarakë F-35 Turqisë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu doli publikisht kundër kësaj ideje, megjithëse minimizoi çdo mosmarrëveshje me presidentin amerikan.

Në një intervistë për "CNN", Netanyahu paralajmëroi se shitja e avionëve më të avancuar luftarakë amerikanë nuk do ta bënte Turqinë një aleat më të besueshëm të Shteteve të Bashkuara.

"Kjo nuk e bën Turqinë një shtet mik të Shteteve të Bashkuara", tha Netanyahu.

Duke iu referuar presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, ai e cilësoi Ankaranë si "një regjim i ndikuar nga Vëllazëria Myslimane, e cila i urren Shtetet e Bashkuara".

Netanyahu shtoi gjithashtu se "Erdogan nuk është pikërisht një aleat shembullor i Shteteve të Bashkuara. Ai kërcënon të shkatërrojë vendin tim, të vetmin shtet hebre".

Komentet e tij vijnë në një kohë kur tensionet verbale mes Izraelit dhe Turqisë janë shtuar. Javën e kaluar, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan deklaroi në një intervistë për "CNN Turk" se Izraeli është "bërë një barrë që njerëzimi nuk mund ta durojë më".

Kjo deklaratë u dënua nga ministri i Jashtëm izraelit, i cili e cilësoi atë si "'nxitje të gjenocidit".

Netanyahu paralajmëroi se furnizimi i Turqisë me F-35 do të kishte pasoja për rajonin. "Kjo nuk është një forcë për paqe dhe stabilitet. Kur t'u japësh atyre atë fuqi, do të shohësh agresion pas saj", tha ai.

Presidenti izraelit bëri të ditur se i ka kërkuar drejtpërdrejt Presidentit Trump të mos e miratojë shitjen e avionëve, duke argumentuar se një vendim i tillë "do të shkatërronte ekuilibrin e pushtetit në Lindjen e Mesme". 

Megjithatë, Trump, i cili ndodhet në Turqi në kuadër të samitit të NATO-s, ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të rishqyrtojë ndalimin e vendosur gjatë mandatit të tij të parë për përjashtimin e Ankarasë nga programi F-35. Ai e cilësoi Turqinë si një aleat "të jashtëzakonshëm" të Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet me Trumpin

Pavarësisht dallimeve mbi çështjen e Turqisë, Netanyahu mohoi se ekziston një përçarje mes tij dhe presidentit amerikan.

"Ne jemi në të njëjtën linjë për çështjet kryesore". - Kjo deklaratë vjen pasi Trump tha gjatë fundjavës se Netanyahu: "E di kush është shefi". 

Netanyahu u përgjigj se: "Ai është Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ai bën atë që është më e mira për Shtetet e Bashkuara. Unë jam Kryeministri i Izraelit dhe bëj atë që është më e rëndësishme për Izraelin. Në shumicën e rasteve këto interesa përputhen".

Rezerva për marrëveshjen SHBA-Iran

Netanyahu komentoi edhe marrëveshjen e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, e cila i dha fund konfliktit të fundit dhe përfshin lehtësim të sanksioneve ndaj Teheranit në këmbim të hapjes së Ngushticës së Hormuzit.

Ai vlerësoi se është ende herët për të gjykuar rezultatet e marrëveshjes. "Është shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë", u shpreh Netanyahu.

Sipas tij, Presidenti Trump beson se programi bërthamor iranian mund të frenohet përmes negociatave: "Presidenti beson se mund ta ndalojë programin bërthamor të Iranit dhe beson se mund ta arrijë këtë përmes negociatave. Unë kam dyshimet e mia, por mendoj se duhet t'i jepet mundësia".

Marrëveshja nuk trajton disa nga shqetësimet kryesore të SHBA-së dhe Izraelit, përfshirë programin bërthamor të Iranit, raketat balistike, mbështetjen për grupet aleate dhe rezervat e uraniumit të pasuruar.

Kritika ndaj demokratëve amerikanë

Në intervistë, Netanyahu kritikoi disa politikanë demokratë në SHBA, duke përmendur kandidatin për kryetar të bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili më parë kishte deklaruar se mbështet Izraelin "si një shtet me të drejta të barabarta", por jo "një shtet që privilegjon një fe mbi tjetrën."

Netanyahu reagoi duke thënë: "Është qesharake, absurde. Izraeli, ndonëse është një demokraci e papërsosur, është 100 herë më i mirë se këto diktatura dhe tirani të tmerrshme që mbështesin Mamdani dhe mbështetësit e tij".

Kryeministri izraelit kritikoi edhe kongresisten demokrate Haley Stevens, e cila kishte deklaruar se politikat e tij kanë bërë që hebrenjtë amerikanë të ndihen më pak të sigurt.

"Ajo ndihet në siklet sepse nuk mund ta mbrojë të vërtetën. Ndoshta po përpiqet të justifikojë antisemitizmin", u shpreh ai.

I pyetur nëse mban përgjegjësi për rënien e mbështetjes ndaj Izraelit në SHBA, Netanyahu e hodhi poshtë këtë pretendim dhe argumentoi se rrjetet sociale po nxisin rritjen e kritikave ndaj Izraelit.

Dhuna e kolonëve në Bregun Perëndimor

Netanyahu komentoi edhe rritjen e dhunës së kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar. Ai tha se "autorët janë 150 delinkuentë të mitur", duke pranuar se "çështja është fryrë përtej çdo parashikimi".

Sipas tij, policia dhe ushtria izraelite ndërhyjnë ndaj rasteve të dhunës, por gjykatat në Izrael janë shumë të buta. "Qytetarët tanë nuk mund të ushtrojnë dhunë ndaj askujt", shtoi Netanyahu.

Megjithatë, në Bregun Perëndimor është regjistruar një rritje e sulmeve nga kolonët, ndërsa organizata izraelite e të drejtave të njeriut Yesh Din raportoi se gjatë një periudhe njëmujore këtë vit janë dokumentuar 305 incidente, përfshirë sulme ndaj personave, pronave dhe raste të konfiskimit të tokave. Në disa raste, sipas raportimeve, ushtarët izraelitë nuk kanë ndërhyrë./ Përshtati "Pamfleti" nga "CNN".

presidenti i shba-së donald trump avione luftarake f-35 turqi

Lini një Përgjigje