
Protesta përpara Kryeministrisë vijoi edhe këtë mbrëmje me fjalime të aktivistëve dhe qytetarëve. Mes folësve ishte edhe ambientalisti Sazan Guri, i cili bëri thirrje për vijimin e protestës dhe kërkoi, sipas tij, një fazë të re të rezistencës qytetare.
Në fjalën e tij, Guri tha se rëndësi nuk ka numri i pjesëmarrësve, por vendosmëria për të çuar protestën deri në fund.
"Ky vend që ka mbërritur në këtë ditë, ku përballë nesh ndodhet vetëm një anije, do iki ose ky që as në emër nuk e meriton t'i thërrasësh ose ne! Ne qytetarë shqiptarë që nuk duam të shqetësohemi se në dukje jemi në shesh 2, 3, 5 apo 10% e popullit", u shpreh ai.
Ai u bëri thirrje protestuesve të mos heqin dorë nga kauza dhe përdori një krahasim historik për të përshkruar vendosmërinë që, sipas tij, duhet të karakterizojë lëvizjen.
"Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen por ka qytetarë që lenë kauzën përgjysmë. Çdo njeri t'i japë fjalën vetes kur vjen në këtë shesh, tamam si gjeneralët që dogjën anijet. Të puthim fëmijët dhe gratë dhe në këtë luftë të gjatë rezistence do t'i mundim ata avash avash, me moral", shtoi Guri.
Guri kritikoi edhe politikat që lidhen me pronat dhe investimet strategjike, duke akuzuar qeverinë për cenimin e të drejtave të pronës.
"Do t'i bëjmë ata që te zhvishen, të mos kenë sy e faqe të dalin para popullit shqiptar, aq më tepër një kryeministër që ka zhbërë pronat e ligjshme me kushtetutë dhe në vitin 2015 me një ligj investimi strategjik ai vendosi të vjedhë këtë popull. Mos vallë ne dalim për të mbrojtur vetëm flamingot? Më tepër se kaq!", vijoi ai.
Në fund të fjalës së tij, ambientalisti propozoi atë që e cilësoi si fazën e tretë të protestës, duke bërë thirrje për rrethimin fizik të institucioneve.
"Këtë kryeministër e kemi rrethuar demokratikisht dhe moralisht. Rrethimi i tretë për mua është rrethimi fizik! Të rrethohet parlamenti dhe kryeministri që ata të mos marrin vendime për kauzat tona!", tha Sazan Guri.
Lini një Përgjigje