Ka nisur protesta e 38-të para godinës së Kryeministrisë, ku qindra qytetarë janë mbledhur sërish në bulevard për të vijuar lëvizjen që prej më shumë se një muaji kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike.
Në hapje të tubimit kanë dominuar thirrjet "Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar", ndërsa protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë rezistencën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Një prej organizatorëve u shpreh se protesta ka hyrë tashmë në një fazë të re, duke e cilësuar atë si një lëvizje qytetare që ka vendosur një standard të ri të reagimit publik.
"Sot është dita e 38 e rezistencës. Si kurrë më parë po tregojmë se jemi qytetarë europianë që e dinë se çfarë kërkojnë nga institucionet e tyre dhe e dinë se kujt i kërkojnë dorëheqje. Si 37 ditët e shkuara, edhe sot do të kërkojmë të njëjtat gjëra që kemi kërkuar: dorëheqjen e kryeministrit dhe të gjithë qeverisë, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore", deklaroi ai.
Gjatë tubimit janë lexuar sërish kërkesat që organizatorët i cilësojnë të panegociueshme. Ato përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit qeveritar, ngritjen e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, hartimin e një Kushtetute të re përmes referendumit popullor, ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.
Protestuesit kanë ritheksuar gjithashtu se nuk heqin dorë nga kërkesat me të cilat nisi kjo lëvizje, duke kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Paketën e Maleve dhe kuadrin ligjor për Investimet Strategjike.
Sipas organizatorëve, protesta synon gjithashtu ndërtimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila, sipas tyre, duhet të hartohet me pjesëmarrjen e ekspertëve, intelektualëve dhe qytetarëve të paangazhuar politikisht.
Edhe sot pritet që, pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit të vijojnë marshimin e tyre në rrugët e kryeqytetit, në kuadër të protestës së 38-të qytetare.
Lini një Përgjigje