
Protesta e 28-të e revoltës qytetare kundër kryeministrit Edi Rama dhe klasës politike ka nisur këtë të shtunë në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora.
Ashtu si në protestat e mëparshme, tubimi u shoqërua me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë. Pas grumbullimit në sheshin "Skënderbej", protestuesit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku më pas pritet të mbahen fjalimet nga podiumi.
Marshimi u shoqërua me thirrje të vazhdueshme si: "Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen!, "Shqipëri e re!", "Pa rini nuk ka Shqipëri!", "Dorëheqje!", "Revolucion!", "Ju erdhi fundi!", "Edi Rama o legen, prite popullin se po vjen".
Mes pankartave të mbajtura nga protestuesit lexohej: "Sundimi i arrogancës, fundi i durimit".
Një tjetër pankartë mbante mesazhin: "Shqipëria nuk shitet".

Ndërsa një pjesë e protestuesve brohoritën edhe: "Rama në burg, Berisha në burg!".
Në protestën e sotme marrin pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, ndërsa e pranishme është edhe eurodeputetja italiane Ilaria Salis.
Sipas organizatorëve, edhe protesta e sotme do të ndjekë të njëjtin skenar si tubimet e mëparshme, me marshim në rrugët e Tiranës dhe më pas mbajtjen e fjalimeve përpara Kryeministrisë.
Lini një Përgjigje