Në episodin e fundit të emisionit “N’xhiro me Syçin”, gazetari Ilir Demalia reagoi ashpër ndaj realitetit politik dhe shoqëror në Shqipëri.
Për Demalian, mungesa e një reflektimi të thellë shoqëror dhe e pjekurisë politike është thelbi i krizës sonë.
“Këto që dalin sot si cuba… Po ku ishit mor zotëri, ju që sot shisni veten si antikomunistë?!”, akuzoi ai, duke iu referuar figurave publike, konkretisht Tomor Alizotit.
“Ky që thotë ‘do t’ju hamë të gjallë’… çfarë hëngre në Berat? Katastrofë! Në Elbasan? Edhe më keq! Çfarë do të hash ti të gjallë?! Këto janë fjalë që vetëm të çakërdisin nervat.”
Ai vazhdoi duke sulmuar arrogancën e atyre që e quajnë veten diplomatë, por që flasin me “një gjuhë të drunjtë dhe agresive”.
Drejtuesi politik i PD për qarkun e Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Tomor Alizoti, të cilit Sali Berisha ia ngatërroi pozicionin e detyrës elektorale gjatë fjalës së tij në nisje, kërcënoi mazhorancën nga podiumi në mitingun përmbyllës në Librazhd-Prrenjas, se “do i hanin të gjallë” PS.
Teksa tha se zakonisht flet gjatë, por “meqë është doktori, do flas shkurt”, ai iu drejtua kundërshtarëve, duke i paralajmëruar që të mos preknin votën, pasi PD kishte mundur baballarët e tyre që kishin tanke dhe ushtri, e jo më socialistët e sotëm.
“Unë kam shumë qejf të flas, por kur është doktori, flas shumë shkurt. Më vjen mirë që Librazhdi dhe Prrenjasi është në shesh dhe ka vrarë frikën. Çdo e vërtetë ka nevojë për guximtarë dhe PD është partia e guximtarëve. Një mesazh për ju që jeni cepave dhe u shkoni njerëzve nëpër shpia për t’ju marrë votat. Mos harroni që ne kemi mundur baballarët tuaj, që kishin tanke, polici dhe ushtri! Juve do t’ju hamë të gjallë! Mos guxoni t’ju shkoni njerëzve natën në shtëpi, mos guxoni t’i prekni dhe kërcënoni, sepse liria e njerëzve është e shenjtë”, tha ai.
Ndërkohë PD ka pësuar një humbje katastrofë në Elbasan, me një diferencë të thellë nga PS.
Lini një Përgjigje