
Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, e cila është lënë në fuqi nga shkallët e gjyqësorit, bazuar në kërkesën e SPAK.
Avokatët e Veliajt kanë dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shfuqizuar vendimin në lidhje me masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Sipas kërkesës, masa e arrestit me burg është anti-Kushtetuese.
Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që Erion Veliaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Herën e parë, Veliaj çoi në Kushtetuese procedurën e shkarkimit të tij si Kryebashkiak, proces ky që u dirigjua me kujdes nga Kryeministri Edi Rama.
Pas një seance maratonë, Kushtetuesja rrëzoi procedurën e shkarkimit, duke rikthyer në detyrën e Kryebashkiakut, Erion Veliajn. Pas vendimit të Kushtetueses, Edi Rama në një mesazh Gjykatës, tha se uronte që të gjykonte me të njëjtën frymë edhe lirimin nga qelia të Veliajt, në mënyrë që ai të ushtrojë dhe përmbushë detyrën si Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj është arrestuar që prej 10 shkurtit ndërsa akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Lini një Përgjigje