Kushtetuesja do të vendosë sot nëse do të rriten apo jo pagat e gjyqtarëve...
Gjykata Kushtetuese pritet të dalë sot me një vendim për pagat e gjyqtarëve. Sipas informacioneve, gjyqtarët janë mbledhur këtë pasdite dhe pritet që për pak të vendoset nëse do të pranohet apo jo kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve. Në mbledhjen e 12 shkurtit ata nuk arritën dot një konsensus dhe sipas burimeve, pritet që sot ë kemi një venim final.
Ankimimi lidhet me ndryshimet e vitit 2023, kur u përcaktua se paga bazë e magjistratëve do të ishte 36% e pagës së Presidentit të Republikës, konkretisht rreth 153 mijë lekë. Më herët, referenca për llogaritjen e pagës ishte ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri, e cila në atë kohë ishte 132.100 lekë.
Megjithëse ndryshimi solli një rritje nominale prej mbi 20 mijë lekësh, gjyqtarët argumentojnë se në praktikë ai ka prodhuar ulje relative të pagës së tyre. Kjo për shkak se në të njëjtën periudhë qeveria rriti pagat në administratën publike, duke e çuar pagën e drejtorit të departamentit në Kryeministri në 231 mijë lekë. Sipas tyre, nëse referenca do të kishte mbetur e njëjtë, paga e magjistratëve do të ishte rreth 78 mijë lekë më e lartë.
Për këtë arsye, ata kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e ndryshimeve ligjore ose përcaktimin e një formule të re, që sipas tyre duhet të jetë 54.3% e pagës së Presidentit, si dhe pasqyrimin automatik të çdo rritjeje të përgjithshme pagash.
Kryeministri Edi Rama e ka kundërshtuar publikisht kërkesën, duke e cilësuar debatin si të nxitur në mënyrë të padrejtë dhe ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos marrë në konsideratë, sipas tij, argumente të pabazuara.
"Unë shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese mos t’ia lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë dhe mos të na detyrojë të kërkojmë ilaçe të tjera. Kush është i interesuar, le të marrë regjistrimin e asaj seance, të shohë çfarë bëhet dhe do kuptojë shumë mire sa absurde është kjo histori, me gjykatësit që duan t’i rrisin vetes pagat, vetë zot, vetë shkop”, deklaroi kryeministri Rama.
Nga ana tjetër, Shoqata e Prokurorëve dhe ajo e Gjyqtarëve kanë mbrojtur ankimimin, duke theksuar se çdo ndryshim që sjell regres në standardet e mëparshme të trajtimit financiar përbën cenim të garancive kushtetuese dhe të pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Shoqata e Gjyqtarëve ka akuzuar qeverinë për krijim të një “tymnaje populiste” dhe presion publik ndaj një procesi kushtetues.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim jo vetëm në nivelin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe në raportin institucional mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, në një moment kur debati për reformën në drejtësi mbetet i ndjeshëm.
Në varësi të interpretimit që do t’i bëhet formulës së llogaritjes së pagave, rritja për magjistratët mund të variojë nga rreth 1.800 euro për shkallën e parë deri në mbi 3.000 euro për nivelet e Apelit të GJKKO dhe SPAK.
Gjykata Kushtetuese pritet të japë fjalën e saj përfundimtare, e cila do të përcaktojë nëse ndryshimet ligjore të vitit 2023 janë në përputhje me Kushtetutën apo nëse do të kërkohet rishikim i skemës aktuale të pagave.
Lini një Përgjigje