Rastet që lidhen me sigurinë ushqimore vijojnë të tërheqin vëmendjen e autoriteteve dhe opinionit publik.
Së fundmi, Dega e Doganës Durrës ka bllokuar një sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore jashtë afateve të përdorimit gjatë një kontrolli fizik në ambientet e një subjekti tregtar të autorizuar për Regjimin e Përpunimit Aktiv.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve janë konstatuar 2.500 kilogramë miell orizi me datë skadence 1 prill 2025 dhe 5.150 kilogramë miell për pica me datë skadence 7 prill 2025. Në total, bëhet fjalë për 7.650 kilogramë miell që rezultonte jashtë afatit të përdorimit, sipas datave të shënuara në paketim.
Dogana e Durrësit ka nisur procedurat përkatëse në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), në përputhje me legjislacionin në fuqi, deri në asgjësimin e mallit të bllokuar.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave theksoi angazhimin për zbatimin e ligjit dhe u bëri thirrje operatorëve ekonomikë të respektojnë detyrimet ligjore, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Lini një Përgjigje