
Gazetari Arion Sulo, duke folur për situatën politike në vend, ngriti shqetësime për mënyrën se si nisi sesioni i ri parlamentar, duke e cilësuar mungesën e paraqitjes së programit të qeverisë “Rama 4” si një ngjarje të paprecedentë.
Sipas tij, kjo është paradhoma e një Parlamenti të deformuar, ku do të ketë vetëm votime dhe jo seanca plenare dhe llogaridhënie.
Ai parashikoi një sesion të vështirë dhe të dëmshëm për demokracinë, ku mazhoranca do ta shndërrojë Kuvendin në një noter të vendimeve, projektligjeve, koncesioneve dhe lejeve të qeverisë.
“Ajo që më bëri përshtypje ka të bëjë me mungesën e paraqitjes së programit të qeverisë “Rama 4” në Parlament, gjë që ndodh për herë të parë në 35 vite pluralizëm. Mendoj se kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe është paradhoma e Parlamentit të deformuar, ku do kemi seanca votimi dhe jo seanca plenare sikurse jemi mësuar.Seanca e djeshme ishte e para në llojin e vet, por do të pasohet nga gjithë sesioni parlamentar deri në një ngjarje tjetër. Do ketë vetëm votime dhe asnjë përgjegjësi, asnjë llogaridhënie, asnjë alternativë nga opozita, asnjë kërkesë llogarie nuk do të jepet. Nuk do ketë asgjë, interpelancë, asnjë diskutim, por do të dëgjojmë vetëm 82, 83, 86 apo më shumë vota. Mazhoranca dhe qeveria do e bëjnë Parlamentin vetëm noterin e vendimeve, projektligjeve, koncesioneve, lejeve të qeverisë. Parashikoj një sesion parlamentar shumë të keq, shumë të vështirë dhe shumë të dëmshëm për demokracinë në vend”, tha Sulo në një intervistë për “Tema e Ditës” në RTSH.
Lini një Përgjigje