TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Janar 2026, 20:57

Lufta e tretë brenda PD-së ka nisur, fundi dihet!

Shkruar nga Pamfleti
Lufta e tretë brenda PD-së ka nisur, fundi dihet!
Ervin Salianji dhe Sali Berisha

Selia blu ngjan gjithnjë e më shumë me një ‘Lindje të Mesme’ në miniaturë, ku mungesa e stabilitetit e kthen çdo lëvizje të vogël në një konflikt shkatërrimtar...

Teksa bota ‘zien’ nga vendimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Partinë Demokratike ka shpërthyer ajo që tashmë cilësohet si ‘lufta e tretë’ e brendshme. Ende pa u shëruar nga plagët e përplasjes së fundit, një konflikt i ri ka marrë flakë në oborrin e Selisë blu. Pas përjashtimit të Ervin Salianjit, përplasja e radhës ishte thjesht çështje kohe.

‘Siguresat’ janë hequr dhe palët janë pozicionuar hapur përballë njëra-tjetrës. Gjuha e deklaratave ‘diplomatike’ është zëvendësuar nga akuza të drejtpërdrejta.

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, gjatë takimit të sotëm me demokratët e Lezhës, artikuloi një sërë kritikash ndaj drejtimit të Partisë Demokratike, duke vënë në dukje mungesën e reformimit dhe të marrjes së përgjegjësisë për humbjet e njëpasnjëshme elektorale.

Ai akuzoi gjithashtu kupolën drejtuese të PD-së se të afërm të saj janë të përfshirë në afera me qeverinë, përfshirë tendera dhe leje ndërtimi, pa përmendur emra konkretë. Sipas Salianjit, sulmet ndaj tij burojnë nga frika që ka kapluar elitën e vjetër të partisë përballë çdo zëri kritik.

Në krahun tjetër, demokratët e drejtuar nga Sali Berisha vijojnë ofensivën ndaj Salianjit, të cilin deri pak javë më parë e konsideronin një figurë të rëndësishme të PD-së. Berisha e akuzon ish-deputetin se po mbështetet nga struktura të Partisë Socialiste për të mbushur sallat gjatë takimeve të tij.

Paralelisht, po bëhet e qartë se Berisha po ndjek të njëjtën strategji të përdorur më herët për largimin e Lulzim Bashës: joshjen dhe thithjen e aleatëve të kundërshtarëve të brendshëm. Simbol i kësaj lëvizjeje u pa sot, kur Ilir Alimehmeti, i konsideruar një nga mbështetësit e Salianjit, foli nga foltorja e Berishës.

Gjithashtu kreu i PD-së e ka përjashtuar Salianji nag mundësia për të qenë kandidat përballë tij për drejtimin e partisë, me argumentin se ai është vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike.

Nga ky moment duket se nuk ka më kthim mbrapa, lufta dot të vijojë përshkallëzimin që në fund do të kulmojë me copëzimin edhe më tepër të PD-së.

Por ajo që është për të ardhur keq, është fakti se të gjitha këto ndodhin në një moment kur vendi ka më shumë nevojë se kurrë për një opozitë të fortë, të shëndetshme dhe funksionale, Partia Demokratike duket e zhytur në përplasje të reja të brendshme. Selia blu ngjan gjithnjë e më shumë me një ‘Lindje të Mesme’ në miniaturë, ku mungesa e stabilitetit e kthen çdo lëvizje të vogël në një konflikt shkatërrimtar.

Me këto kushte dhe këta aktorë, ringritja e PD-së duket shumë larg, madje tashmë duket sikur kjo parti është e destinuar të kalojë disa luftëra para se të shuhet përfundimisht./Pamfleti

berisha salianji pd

1 Komente

  1. K
    Kristi

    Ka ardhur koha Saliu dhe fmekeqi Mediu duhet te ikin te mos mbajne peng partine pasi jane karta te djegura frika nga drejtesia ka bere qe saliu te mos e leshoji karrigen sot ka ardhur koha per rigjenerimin e partise Demokratike keta e shokijne qe populli nuk i mbeshtet me çfare presin akoma ??

    Lini një Përgjigje