Prokurori i SPAK, Vladimir Mara, dha detaje mbi operacionin e zhvilluar nga SPAK dhe Prokuroria e Barit.
Prokurori i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Vladimir Mara, ka dhënë detaje mbi operacionin ndërkombëtar që çoi në sekuestrime të shumta të lëndëve narkotike në Itali dhe në identifikimin e një rrjeti të gjerë kriminal nga Shqipëria.
Në deklaratën e tij, Mara bëri të ditur se ky hetim është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet italiane, të cilat kanë administruar të dhëna të marra nga platforma e komunikimit të enkriptuar Sky ECC.
"Do të mundohem në mënyrë të përmbledhur të jap disa detaje të tjera lidhur me këtë hetim. Siç u relatua më parë, ka qenë një hetim i përbashkët mes prokurorisë italiane dhe SPAK. Janë kryer hetime paralele në Itali dhe Shqipëri dhe janë shkëmbyer të dhëna të përditshme, ku janë kapur disa sasi droge në shtetin italian. Nga antimafia dhe prokuroria e Barit janë marrë të dhëna nga SKY ECC që kanë paraqitur një panoramë të qartë të këtij grupi kriminal dhe kemi arritur të ndërtojmë shtrirjen e këtij aktiviteti kriminal që niste në Puglia, në disa vende të BE-së, Belgjikë, Hollandë dhe në Amerikën e Jugut.
E reja në këtë hetim është se, krahas të dhënave nga SKY ECC, janë përdorur edhe të dhëna nga platformat. Janë sekuestruar 30 episode të trafikut në Itali dhe 10 episode në Shqipëri. Është dokumentuar gjithë cikli nga vendet e origjinës dhe, falë analizës së drejtorisë së DIA-s, është arritur të konkludohet i gjithë ky aktivitet kriminal me një vlerë afro 5 milionë euro. Gjej momentin t’i falënderoj autoritetet italiane dhe ne, falë këtij bashkëpunimi, patëm këtë rezultat., tha prokurori Mara.
Prokurori Mara bën me dije gjithashtu se janë lëshuar në total 52 urdhërarreste në Shqipëri dhe Itali, nga të cilat janë ekzekutuar vetëm 40-të. Mara zbuloi më tej se janë sekuestruar disa biznese në Durrës dhe një televizion në Vlorë, të cilat dyshohet se financoheshin ose ishin ndërtuar nga paratë e drogës.
Po ashtu, ai tha se përveç anëtarëve të grupit kriminal janë lëshuar masa arresti edhe për zyrtarë shtetërorë dhe një avokat.
“Kemi ekzekutuar 52 urdhër-arreste dhe janë hetuar 42 masa sigurie dhe janë evidentuar vepra korruptive në institucionet e Shqipërisë, për zyrtarë shtetërorë dhe për një avokat. Sot janë ekzekutuar vendimet e gjykatës. Janë sekuestruar tre restorante në Durrës, një bar-kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një televizion në qytetin e Vlorës. Gjatë këtij hetimi më parë janë sekuestruar 3 milionë euro në cash, të cilat edhe këto i janë nënshtruar këtij hetimi penal”, deklaroi prokurori.
Lini një Përgjigje