
Politika shqiptare, miqtë dhe kolegët kanë reaguar për ndarjen nga jeta të publicistit dhe gazetarit të njohur Artur Zheji, në moshën 64-vjeçare.
Ai ka humbur jetës sot, ndërsa ndodhej me pushime në Sarandë me familjen e tij. Zheji nuk është ndjerë mirë dhe ka kërkuar ambulancën, Dyshohet se pësoi arrest kardiak dhe u dërgua pa shenja jetë në spital.
I ndjeri Zheji ishte duke drekuar me bashkëshorten dhe djalin, teksa po festonte ditëlindjen e djalit të tij në një restorant në Sarandë.
Demokrati Tritan Shehu ka reaguar lidhur me lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta para kohe të gazetarit të njohur shqiptar, Artur Zheji.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Shehu shpreh keqardhjen e tij të thellë për vdekjen e gazetarit, ndërsa thekson se Zheji do të kujtohet si një gazetar korrekt dhe qytetar njerëzor.
“Gazetar korrekt, qytetar njerëzor në tiparet e sjelljet e tij. Miqësor e tolerant! Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, gazetarisë shqiptare, publikut të gjerë, miqve, të gjithëve! Do ta kujtojmë si një model!”, shkruan Tritan Shehu në Facebook.
Gjithashtu, edhe ministri Taulant Balla ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të gazetarit, publicistit dhe drejtuesit të emisionit, pjesë e ekranit dhe medias shqiptare prej shumë vitesh.
Artan Shkreli, mik i Zhejit ka reaguar gjithashtu për lajmin e trishtë. Shkreli thotë se gazetari Zheji ishte një mendje e ndritur dhe ndarja nga jeta ishte krejt e papritur.
“Paç paqen e pasosur mik. Qindra e qindra kujtime të paharruara që kur, për tre muaj të tërë në Gruemirë, ndamë shtratin dykatësh.
Luftëtar i lindur që nuk e gjeti kurrë luftën e vet. Mendje e shqetësuar dhe e ndritur njëkohësisht”, thuhet në reagimin e Shkrelit.
Edhe deputeti Edi Paloka, i shpreh ngushëllimet e tij familjes së Artur Zhejit. Paloka shkruan se sot u nda nga jeta një gazetar serioz dhe profesionist.
“Pushofsh ne paqe Artur Zheji!
Edhe pse shpesh nuk kam qenë dakord me qëndrimet apo pozicionimin ndaj çështjeve të caktuara politike, në këtë mish-mash mediatik për mua ishe një gazetar serioz e profesionist!
Ngushëllime familjes!”, shkruan Paloka në “Facebook”.
Analisti Ilir Demalia, me trishtim ka reaguar për ndarjen nga jeta në moshën 64-vjeçare të Artur Zhejit.
"Lamtumirë miku im Artur Zheji. Pushofsh në paqe miku im. Na e thyeve zemrën shumë keq", shkruan Demalia.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka shprehur ngushëllimet për familjen e Zhejit, ndërsa shkruan se, ikja e tij e beftë ka lënë me dhimbje jo vetëm familjen, por dhe miqtë.
"U prehsh në paqe Turi! Ikja jote e beftë na le me dhimbje. Ngushëllime familjes sate!
Për pak ditë do të festonit ditëlindjen tënde, e ne miqtë e tu do të të uronim 64-vjetorin. Ke lënë shumë kujtime pas, si drejtues e gazetar, si prind, bashkëshort e mik.
Artur Zheji ishte biri i dy shqiptarëve të shkëlqyer, i zagoritit të gjithëditur Petro Zheji dhe i aktores së mirënjohur Besa Imami. Trashëgoi kulturën e tyre dhe spikati si personazh televiziv në prime.
I përjetshëm kujtimi i tij!", shkruan Noka.
Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar gjithashtu pas ndarjes nga jeta të publicistit dhe gazetarit Artur Zheji.
Përmes një mesazhi ngushëllues, Gjekmarkaj e cilëson ndarjen nga jeta të Zhejit si një humbje të rëndë për mendimin kritik, gazetarinë dhe shoqërinë shqiptare.
"Lajmi i ndarjes nga jeta i gazetarit Artur Zhejit është një humbje e madhe për gazetarinë, mendimin kritik dhe shoqërinë shqiptare. Ai ishte një intelektual i spikatur, një zë i guximshëm dhe një personalitet që krjijoi dhe mbajti të gjallë debatin publik.
Me stilin e tij unik, ai solli gjithmonë qartësi, mendim të lirë dhe reflektim të thellë dhe pse mund të kemi ndarë mendime tërsisht të ndryshme për çështje të caktuara. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar për median, gazetarinë dhe vetë shoqërinë.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit të medias! U prehtë në paqe", thotë Gjekmarkaj.
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji tha se ndarja nga jeta para kohe të gazetarit të njohur shqiptar, Artur Zheji është një lajm i trishtë.
Teksa shpreh ngushëllimet e tij për vdekjen e Zhejit, Salianji thekson se gazetari dhe analisti i ndjerë ishte një nga mendjet më brilante të kohës, një njeri me kulturë, thellësi dhe guxim intelektual.
“Shqipëria humbi sot një intelektual të madh e të rrallë, një zë të mençur e të lirë; kush e njihte humbi një mik të shtrenjtë. Ndarja e tij nuk është thjesht humbja e një gazetari apo intelektuali të spikatur, por një tronditje e madhe për hapësirën publike shqiptare, që sot mbetet më e varfër. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të paharruara dhe do të ndriçojnë edhe pas ikjes”, shkruan Salianji ndër të tjera.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shprehur gjithashtu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Artur Zheji.
Në një reagim në rrjete sociale, Veliaj e cilësoi Zhejin si gazetar kalibri dhe intelektual të spikatur që ka dhënë shumë për median shqiptare që nga vitet ’90.
“Lajm fort i hidhur. Do t’i mungojë shumë publikut”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje