
Aksi rrugor Ura e Shtrejtë-Prekal është bllokuar plotësisht për qarkullim, pas një shembjeje të konsiderueshme të trupit të rrugës, e cila është shkaktuar nga rrëshqitja e dherave si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive gjatë 48 orëve të fundit.
Shembja është konstatuar në vendin e quajtur “Shkallë Logje”, një segment problematik i këtij aksi, ku masa të mëdha dheu kanë rrëshqitur drejt rrugës, duke e bërë atë të pakalueshme dhe të rrezikshme për çdo mjet apo këmbësor.
Menjëherë pas sinjalizimit, në terren kanë ndërhyrë ekipet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Bashkisë Shkodër, të cilat kanë vendosur sinjalistikën përkatëse dhe kanë bllokuar aksin, me qëllim shmangien e çdo rreziku për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa pritet një vlerësim më i detajuar teknik për shkallën e dëmtimit dhe ndërhyrjet që do të nevojiten për rikthimin e qarkullimit normal.
Si pasojë e këtij bllokimi, banorët e zonës së Prekalit dhe fshatrave përreth kanë aktualisht vetëm një rrugë alternative për lëvizje, përmes kalimit nga ana tjetër, në drejtim të Qafës së Thores. Ndërkohë, nga ana e Malit të Shoshit, qarkullimi mbetet i pamundur, pasi rruga është e bllokuar në zonën e Prekalit dhe nuk ofron asnjë mundësi kalimi.
Bashkia Shkodër u ka bërë thirrje banorëve dhe drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë zonë, deri në përmirësimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme për stabilizimin e rrëshqitjes.
Kush quhet Ura e Shtrenjtë, se këtu të gjitha , shtrenjtë janë bërë...