TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Shtator 2025, 11:28

Mustafa Nano: Pushteti i Ramës është i frikshëm, unë do isha çmendur po t'a kisha!

Shkruar nga Pamfleti
Mustafa Nano: Pushteti i Ramës është i frikshëm, unë do
Mustafa Nano dhe Edi Rama

Mustafa Nano duke komentuar qeverinë e re, tha që kryeministri Edi Rama është sot një lider absolut në Shqipëri, sidomos brenda mazhorancës socialiste.

Sipas tij "kush pranon të bëhet pjesë e kabinetit "Rama" e ka futur me siguri në llogari që do jenë vartës të Ramës, dhe aq."

"Edi Rama është lider absolut, që delegon pushtet ose te të besuarit e vet, ose te Diella. Të tjerët do të jenë numërorë topi.

Po ju jap një provë për këtë. Kur kryeministri po njoftonte emrat e kabinetit asnjëri prej atyre s’dinte gjë. Të gjithë po bënin reagime spontane e po shihnin njëri-tjetrin.

Më shokoi ajo skenë. Sepse është absurde. Njeriu duhet ta dijë se ku do ta emërojnë, sepse ndoshta mund të ketë arsye ta refuzojë një post të caktuar.

Edhe nëse nuk e refuzon, robi ka nevojë të dijë kohë përpara, në mënyrë që të përgatitet, të vrasë mendjen, të planifikojë risitë, nismat, reformat.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë i bie që nuk ka pse ta vrasin mendjen, pasi e vret tjetërkush. E vret mendjen Rama për ta.

Ky është një pushtet i frikshëm. I frikshëm në radhë të parë për Ramën. Unë vetë do isha çmendur po të kisha një pushtet të tillë”, tha ai për MCN.

Nano nuk mendon që Veliaj ka dalë nga skena politike dhe sipas tij rol do të luajë fakti nëse kryebashkiaku do të dënohet apo jo.

“Veliaj s’ka dalë nga skena, është në një proces gjyqësor, sepse këtu në Shqipëri e kanë provuar që s’dalin kollaj nga skena, jo vetëm në Shqipëri.

Politikanët kanë 7 shpirtra. Duhet parë gjyqi, nëse dënohet shanset për t’u rikthyer janë thuajse zero. Por nëse s’dënohet del me kredenciale të forta.

Lidhur me Manastirliun, më duhet të them se s’e njoh mirë, s’e kam ndjekur mirë aktivitetin e saj.

Nuk e kam parë ta akuzojnë, e kështu letrat "morale" duket se i ka në rregull.

Ndërsa kompetencën në lëmin e administrimit të pushtetit apo të një sektori të veçantë nuk ia njoh.

Opozitës në Tiranë nuk i jap asnjë shans, pavarësisht nga emri. Opozitën e shoh të mbaruar. Dhe nuk shoh asnjë shenjë se gjërat mund të ndreqen."

Lini një Përgjigje