
Ish-ministri i Drejtësisë dhe njëkohësisht deputeti i PS, Nasip Naço ka dalë pas një ore nga Prokuroria e Posaçme. Naço tha për mediat se është thirrur për çështjen CEZ-DIA.
"Jam thirrur për të deklaruar në lidhje me çështjen penale që ka të bëjë me CEZ DIA. Në atë kohë kam mbajtur një qëndrim korrekt dhe ligjor, kam folur me letra dhe jo me heshtje. Fakti që në atë kohë për shkak të abuzimeve që bënte kjo kompani me qytetarët dhe interesat e shtetit kam ndryshuar ligjin për energjinë elektrike duke nxjerrë jashtë sistemi disa kompani në atë kohë që kishin gati 20% të tregut të Cez. I kurseu buxhtetit rreth 40 mln euro", tha Naço.
Nasip Naço ka qenë Ministër i Drejtësisë nga viti 2013 deri në vitin 2015.
Ai ka mbajtur mandatin e deputetit të LSI-së për vitet 2009-2011 dhe 2012-2013, ndërsa në vitin 2021 është bashkuar me Partinë Socialiste.
Naço aktualisht është deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme ka rihapur në vitin 2019, çështjen CEZ-DIA, pas një denoncimi të juristit të Operatorit të Shpërndarjes Romeo Kara, si dhe pas disa shkrimeve mediatike.
Për këtë çështje, në SPAK është thirrur dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të dhënë shpjegime për marrëveshjen mes kompanisë çeke CEZ e cila bleu në vitin 2009 kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjisë, dhe shoqërisë DIA, për mbledhjen e borxheve.
Meta vazhdimisht ka thënë se ai nuk kishte asnjë lidhje si me çështjen e CEZ-it si me marrëveshjen e kompanisë çeke me DIA-n.
Çështja është gjykuar njëherë në vitin 2017 ku është dënuar me 11 vite burg administratori i DIA-s, Kastriot Ismailaj.
Lini një Përgjigje