TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Gusht 2025, 16:07

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, Bamir Topi: Njeri i thellë, punonte për forcimin e shtetit

Shkruar nga Pamfleti

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, Bamir Topi: Njeri i thellë, punonte

Artur Zheji, gazetar, analist dhe intelektual i njohur, është ndarë nga jeta pas një arresti kardiak dy ditë më parë. 

Ish-presidenti Bamir Topi e kujton si një njeri të thellë, gjithmonë me libër në dorë dhe me një prani qytetare të veçantë.

Bamir Topi shprehet se Zheji angazhohej me pasion për forcimin e institucioneve dhe shtetit, duke e vendosur interesin kombëtar mbi atë politik. Sipas tij, Zheji mbetet një figurë që nuk imponohej, por binte në sy me mendim dhe elegancë.

“E kam njohur Artur Zhejin që nga viti 1975. Kishte “ishujsh miqësish” edhe në atë kohë. Unë kisha diferencë moshe 4 a 5 vite diferencë. Zheji ecte gjithmonë vetëm dhe mbante përherë një libër. Vinte nga një familje intelektuale dhe e orientuan drejt një formimi dhe u formua në një terren familjar qytetar intelektual. Ai mund të përshtatej me çdo njeri. Artur Zheji nuk imponohej, ai bënte bisedën sipas bindjeve të tij, ndante idetë me atë që kishte përballë me shumë elegancë.

Artur Zheji ishte një qytetar model. Zheji është marrë me çështje të interesit kombëtar, është marrë me rolin e institucioneve, shtetit. Interesi politik është momental, por më i rëndësishëm është shteti dhe struktura e shtetit. Asnjëherë shteti nuk të lë në baltë, partia të lë në baltë”, tha Topi për “News 24”.

Lini një Përgjigje