Aktualitet31 Maj 2023, 17:17

Nga asetet te doktoraturat, zbardhet vendimi si Gjinushi do “rrëmbejë” Akademinë e Studimeve Albanologjike

Shkruar nga Pamfleti

Nga asetet te doktoraturat, zbardhet vendimi si Gjinushi do

Qeveria ka publikuar vendimin për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ndonëse akademiket e kundërshtuan, sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u firmos drafti i propozuar nga Evis Kushi. Përmes këtij vendimin, ASA do të jetë në duart e Skënder Gjinushit, pra kreut të Akademisë së Shkencave. Sipas draftit, riorganizimi do të bëhet deri në fund të vitit. Po ashtu absurdi është se të gjitha asetet do kalojnë te Akademia e Shkencave.

Njësitë kryesore ekzistuese, Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike riorganizohen si njësi të kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, brenda datës 31dhjetor 2023. Të gjitha asetet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në administrim të Akademisë së Studimeve Albanologjike kalojnë në administrim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila ka detyrimin t’i ruajë dhe t’i mirëmbajë pasuritë në administrim dhe nuk mund të ndryshojë apo të tjetërsojë destinacionin e tyre, në përputhje edhe me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore”, theksohet në vendim.

Më tej thuhet se Akademia e Studimeve Albanologjike ka këto detyrime: a) Të marrë të gjitha masat për transferimin e studimeve për doktorantët e padiplomuar në ciklin e tretë të studimeve për fitimin e gradës shkencore “Doktor” në institucione të tjera të arsimit të lartë, vendase apo të huaja, që ofrojnë programe studimi në fusha të njëjta apo të ngjashme; b) Të përgatitë dosjen për çdo doktorant, me dokumentacionin e nevojshëm dhe t’ia vendosë në dispozicion doktorantëve, pa detyrim financiar shtesë nga ana e tyre, brenda datës 31 gusht 2023; c) Të përcjellë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dosjet e doktorantëve që nuk do të tërhiqen prej tyre, brenda datës 8 shtator 2023; ç) Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e saj akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi për arkivat;

Sipas vendimit, akademia e Studimeve Albanologjike duhet të marrë masa që të vijojë ushtrimin e veprimtarisë së saj akademike, kërkimore-shkencore, administrative dhe financiare, deri në transferimin e plotë të njësive përbërëse pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. /Pamfleti

 

asa qeveria gjinushi