
Apeli i Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj. Nga arrest në shtëpi për të është vendosur që të vijojnë hetimet në detyrim paraqitje.
Gjokutaj akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për shpërdorim detyre lidhur me procedurat e kompensimit të një prone në vlerën e rreth 1.2 milion euro. Pas arrestimit Gjokutaj u shtrua në spital për shkak të gjendjes shëndetësore ndlrkohë që Apeli i Tiranës i ndryshoi masën nga arrest në burg në arrest shtëpie.
Ndërkohë që në arrest shtëpie vijojnë të qëndrojnë Alban Ruli përmbarues privat dhe Fatmir Hoxha drejtor juridik në Ministrinë e Financave. Hetimet për këtë çështje janë drejt përfundimit dhe pritet që dosja tp kalojë me kërkesën për gjykim në Shkallën e Parë.
Kujtojmë se Arlind Gjokutaj së bashku me zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe përmbaruesi u arrestuan pasi akuzohen se firmosën dokumente për t’i kaluar 1.2 milionë euro kompensim një qytetari me emrin Ilir Thana, të cilin e trajtuan si ish-pronar, pa qenë i tillë. Ilir Thana mori përmes bankës vetëm 400 mijë euro dhe pjesa tjetër e parave do t’i kalonte në muajt në vijim.
Gjithçka u bë për një magazinë që shteti ia shiti Thanës në 1992-shin, por Komisioni i Kthimit të Pronave ia mori 3 vite më vonë për t’ia kaluar pronarëve të vërtetë, duke dëmshpërblyer me këste Ilir Thanën me vlerën e pronës sipas çmimit të tregut. Në 2021-shin, edhe pse ishte dëmshpërblyer 1 herë, Ilir Thana kërkoi duke përdorur përmbaruesit arriti në vlerësimin e pronës që nuk ishte më e tija, deri në vlerën 1.2 milionë euro.